×
  • Lajme
  • Botë

    Tjetër vaksinë anti-Covid në fazën e fundit të testimit. Çfarë dihet për të

    Reporteri
    30 Dhjetor 2020 | 18:54

    Kompania amerikane Novavax është futur në fazën e fundit të testimit të një vaksine që lufton COVID-19-n, ndërsa shtetet po përballen me furnizime të pamjaftueshme me ato vaksina që kanë marrë tashmë autorizimin.


    Shtetet e Bashkuara kanë autorizuar përdorimin për raste emergjente të dy vaksinave, njëra e prodhuar nga kompanitë Pfizer/BioNTech dhe tjetra nga Moderna, por për disa muaj dozat që do të shpërndahen do të jenë të limituara.

    Vaksina kandidate mbi të cilën po punon Novavax është e pesta që arrin në fazën përfundimtare të testimit. Rreth 30,000 vullnetarë janë të nevojshëm për të provuar nëse kjo vaksinë, e një lloji tjetër nga ajo e prodhuar nga kompanitë konkurrente Pfizer e Moderna, funksionon dhe është e sigurt.

    Studimi i financuar nga qeveria amerikane, është i hapur për të gjithë personat në moshë të rritur, duke u përqendruar tek të moshuarit me rrezik të lartë si dhe tek vullnetarë që i përkasin komuniteteve afro-amerikane dhe hispanike, të cilët rezultojnë të jenë prekur rëndë nga virusi. Vetëm dy të tretat e vullnetarëve do të marrin vaksinën e vërtetë ndërsa pjesës tjetër do t’u injektohet placebo.

    Vaksina e Novavax-it përdor kopje të padëmshme, të rritura në laborator të proteinës që vesh koronavirusin, për të stërvitur trupin që të kuptojë kur shfaqet virusi i vërtetë. Në ndryshim vaksina e Pfizer-it dhe Moderna-s përdorin një teknologji më të re, duke injektuar kodin gjenetik të asaj proteine.

    Në SHBA edhe dy kompani të tjera, Johnson & Johnson dhe AstraZeneca ndodhen në fazën e fundit të testimit të vaksinave të tyre kundër COVID-19-s./ VOA

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!