×
  • Lajme
  • Botë

    Tragjedia ajrore në Washington, zbardhen komunikimet mes pilotëve dhe kontrollorëve të kullës pak para përplasjes

    Reporteri
    30 Janar 2025 | 11:39

    Janë publikuar komunikimet e fundit mes kontrollorëve të trafikut ajror dhe pilotëve të helikopterit ushtarak dhe avionit të pasagjerëve, vetëm pak sekonda para përplasjes tragjike që ndodhi sot (30 janar) në aeroportin “Ronald Reagan” në Uashington.

    Përplasja mes avionit të American Airlines dhe helikopterit ushtarak përfundoi me rrëzimin e avionit në lumin Potomac, duke u ndarë në dy pjesë dhe shpërthyer në flakë. Bisedat e regjistruara mes kontrollorëve të trafikut ajror, pilotëve dhe ekipeve të shpëtimit zbulojnë momentet e fundit përpara aksidentit.

    Në audion e publikuar nga CNN, një kontrollor i trafikut ajror mund të dëgjohet duke pyetur pilotin e helikopterit nëse ai e shikon avionin e pasagjerëve:

    “PAT 2-5, e shihni CRJ përballë jush? PAT 2-5, kaloni pas CRJ”, ka thënë ai.

    Pas kësaj, dëgjohet një fjalim i paqartë, një “Uhhh” i zëshëm dhe më pas një thirrje alarmante “O Zot…”, që përkon me momentin e përplasjes.

    Menjëherë pas incidentit, kulla e kontrollit lajmëroi një tjetër pilot për ndalimin e trafikut ajror:

    “Nuk e di nëse keni dëgjuar, por ka pasur një përplasje në fund të pistës 3-3. Do të jemi të mbyllur për një periudhë të pacaktuar.”

    Një tjetër pilot, që ndodhej pranë aeroportit, raportoi: Po, ishim afër aeroportit dhe pamë shkëndija nga përtej Potomac.”

    Autoritetet ajrore dhe ekipet e emergjencës po vijojnë kërkimet në lumin Potomac, ndërsa hetimet për shkaqet e sakta të kësaj tragjedie janë në vijim.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!