×
  • Lajme
  • Botë

    Trump akuzon Kinën se e ka shkelur marrëveshjen për tarifat

    Reporteri
    30 Maj 2025 | 21:53

    Presidenti amerikan, Donald Trump, sinjalizoi të premten për një rinisje të tensioneve tregtare me Kinën, duke argumentuar se Pekini kishte “shkelur plotësisht” marrëveshjen për uljen e tarifave, një kohë kur duket se negociatat mes dy vendeve janë bllokuar.

    Komentet e Trumpit erdhën pasi sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, tha në një intervistë për Fox News se bisedimet tregtare me Kinën ishin “disi të bllokuara”.

    Dy ekonomitë më të mëdha të botës kishin rënë dakord në fillim të muajit për të ulur përkohësisht tarifat shumë të larta që kishin vendosur ndaj njëra-tjetrës, një pezullim që do të zgjaste 90 ditë, pasi zyrtarët e lartë të të dyja vendeve u takuan në Gjenevë.

    Por, të premten Trump shkroi në platformën e tij Truth Social: “Kina, ndoshta jo për habinë e disave, e ka shkelur plotësisht marrëveshjen me ne”, duke mos dhënë detaje të tjera.

    I pyetur për këtë postim në CNBC, përfaqësuesi Amerikan i Tregtisë, Jamieson Greer, tha: “Kinezët po vonojnë zbatimin e marrëveshjes, gjë që është krejtësisht e papranueshme”.

    Ai kritikoi Pekinin për vazhdimin e pengesave ndaj mineraleve kyç, duke shtuar se deficiti tregtar i SHBA-së me Kinën “vazhdon të jetë i jashtëzakonshëm”.

    Ai shtoi se Uashingtoni nuk po sheh ndonjë ndryshim të madh në sjelljen e Pekinit.

    Zëvendësshefi i stafit të Trumpit, Stephen Miller, tha për gazetarët të premten se “Kina nuk i ka përmbushur zotimet që kishte marrë përsipër me SHBA-në”, duke mos dhënë detaje të tjera.

    “Dhe kjo hap rrugën për çdo lloj veprimi nga ana e SHBA-së për të siguruar respektimin në të ardhmen”, shtoi ai.

    Të enjten, Bessent sugjeroi se mund të ketë përfshirje të drejtpërdrejtë të Trumpit dhe presidentit kinez, Xi Jinping, duke përmendur mundësinë e një bisede mes tyre. Greer u shpreh se ishte dakord me këtë ide.

    Që nga rikthimi i Trumpit në Shtëpinë e Bardhë në janar, ai ka vendosur tarifa të gjera për shumicën e partnerëve tregtarë të SHBA-së, me nievle veçanërisht të larta ndaj importeve nga Kina.

    Tarifat e reja të ndërsjella arritën nivele trefshifrore përpara uljes së tensioneve këtë muaj, kur SHBA-ja pranoi të ulte përkohësisht tarifat shtesë ndaj importeve kineze nga 145 për qind në 30 për qind.

    Kina, ndërkaq, uli tarifat shtesë nga 125 për qind në 10 për qind.

    Niveli i tarifave të SHBA-së është më i lartë pasi përfshijnë edhe një tarifë prej 20 për qind mbetet më i lartë pasi përfshin edhe një tarifë prej 20 për qind që Trump vendosi së fundmi mbi mallrat kineze për shkak të rolit të pretenduar të shtetit në tregtinë e paligjshme të drogave, një akuzë që Pekini e ka mohuar.

    Tarifat e larta SHBA-Kinë, gjatë kohës kur ishin në fuqi, bllokuan thuajse plotësisht tregtinë mes dy vendeve, ndërsa bizneset ndaluan dërgesat, në pritje të një marrëveshjeje për uljen e tarifave./REL

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!