Donald Trump ka akuzuar Partinë Laburiste të Britanisë së Madhe për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale amerikane, duke pretenduar se aktivistët e saj po ndihmojnë fushatën e kandidates demokrate, Kamala Harris, raporton BBC.
Kryeministri britanik, Keir Starmer, i ka hedhur poshtë akuzat e kandidatit republikan, duke thënë se ndihma e laburistëve për demokratët nuk përbën “asistencë të huaj ilegale”.
BBC-ja shkruan se historikisht, laburistët britanikë kanë pasur marrëdhënie të ngushta me demokratët amerikanë dhe se Partia Demokratike amerikane i ka kthyer këtë favor laburistëve britanikë.
Sipas ligjit amerikan, shtetasit e huaj mund të bëjnë fushatë në zgjedhjet amerikane, por nuk mund të paguhen.
Redaktorja e BBC-së për Amerikën Veriore, Sarah Smith, në raportimin për BBC thekson se ndihma e anëtarëve laburistë për demokratët në SHBA nuk është asgjë e re, por kjo mund të krijojë sfida për raportin e ardhshëm Trump-Starmer.
Në zhvillime të tjera të fushatës, ish-presidenti demokrat, Barack Obama, dhe reperi Eminem kanë bërë fushatë në Detroit në mbështetje të zëvendëspresidentes Kamala Harris. Eminem u shfaq edhe në skenë.
Në më pak se dy javë para zgjedhjeve presidenciale amerikane, rezultatet e sondazheve janë tepër të ngushta në shtetet kryesore të lëkundura, ku pritet të përcaktohet edhe fituesi i zgjedhjeve presidenciale të 5 nëntorit.