Presidenti amerikan, Donald Trump ka përdorur përsëri platformën e tij të mediave sociale, Truth Social, për të njoftuar se armëpushimi mes Izraelit e Iranit tani është në fuqi.
“Armëpushimi është në fuqi. Ju lutem mos e shkelni”, shkroi ai.
Ka pasur shumë konfuzion në orët e fundit në lidhje me kohën dhe kushtet e armëpushimit.
Kanalet mediatike iraniane dhe izraelite po raportojnë se armëpushimi midis dy kombeve të tyre ka filluar. Por ende ka konfuzion mbi detajet e sakta dhe kohën e armëpushimit.
Sulme gjatë natës janë raportuar në të dy palët.
Nëntë persona u vranë herët të martën në sulmet ajrore izraelite ndaj ndërtesave të banimit në provincën veriore iraniane të Gilanit, tha zëvendësguvernatori i provincës për agjencinë e lajmeve Tasnim.
Tre të vdekur ndërkohë janë raportuar në Izrael pas sulmeve iraniane.
/Reporteri.net/
Një zyrtar i lartë i sigurisë në Iran ka thënë për CNN se pas orës 7:30 të mëngjesit “deri më tani nuk është qëlluar asnjë raketë drejt Irani”, pasi u raportua për shkelje të armëpushimit.
“Nëse Izraeli bën një gabim, të gjitha territoret e pushtuara do të sulmohen, njësoj si një orë para se të ndalej lufta”, tha zyrtari iranian.
Në anën tjetër, ministri izraelit i mbrojtjes, Israel Katz, tha të martën se i ka urdhëruar ushtrisë së vendit të reagojë me forcë ndaj asaj që ai e quajti shkelje të armëpushimit me Izraelin nga Irani, raporton Reuters.
Direktiva pasoi një njoftim nga ushtria se kishte zbuluar lëshime raketash nga Irani drejt Izraelit.
Ushtria izraelite tha se po punonte për të rrëzuar raketat iraniane.
Katz tha se ushtria tani ishte udhëzuar të kryente operacione me intensitet të lartë kundër objektivave në Teheran. /Reporteri.net/
Një valë presioni psikologjik, e kombinuar me sulme precize ushtarake, po shënjon një kapitull të ri të konfliktit të heshtur mes Izraelit dhe Iranit.
Sipas një raportimi ekskluziv të Washington Post, të përcjellë edhe nga Corriere della Sera, shërbimi sekret izraelit Mossad ka ndërmarrë një operacion intimidues ndaj rreth 20 gjeneralëve iranianë.
Operacioni nisi menjëherë pas një serie bombardimesh ajrore izraelite ndaj qendrave të komandës në Teheran, në kuadër të ofensivës “Rising Lion”. Raportohet se një nga gjeneralët mori një telefonatë direkte në celularin e tij personal, ku një agjent i Mossadit i komunikoi një mesazh të qartë:
“Keni 12 orë kohë për të regjistruar një video në të cilën hiqni dorë nga regjimi dhe të largoheni bashkë me familjen. Në të kundërt, do të keni të njëjtin fat si kolegët tuaj“, u dëgjua nga ana tjetër e telefonit.
“Po ju telefonoj nga i njëjti vend që dy orë më parë u dërguan në ferr Bagheri-n, Salami-n dhe Shamkani-n”, shtoi agjenti me intimidim.
Këta janë emra të njohur të Gardës Revolucionare Iraniane (Pasdaran): të parët janë eliminuar, ndërsa Shamkani u plagos rëndë, por më pas u shfaq sërish në publik me një deklaratë sfiduese.
Gazeta italiane Corriere della Sera thekson se nuk është e qartë nëse gjenerali ka pranuar ultimatumet, apo nëse ka dërguar videon përmes Telegram-it. Megjithatë, ai rezulton ende gjallë.
Besohet se qëllimi i këtij veprimi të sofistikuar psikologjik ishte i dyfishtë:
1. Të përçajë strukturat ushtarake iraniane, duke përhapur pasiguri dhe frikë mes atyre që mund të zëvendësonin komandantët e vrarë.
2. Të provokojë panik dhe mosbesim në hierarkinë e regjimit, duke goditur jo vetëm në aspektin fizik por edhe në moralin e brendshëm të ushtrisë iraniane.
Sipas Corriere della Sera, Izraeli ka eliminuar edhe dy zëvendësues, të cilët qëndruan në detyrë vetëm për pak ditë, përpara se të goditeshin.
Kjo ngjarje përforcon idenë e një “lufte të padukshme”, ku përveç sulmeve ushtarake, përdoren taktika të sofistikuara të inteligjencës për të destabilizuar armikun nga brenda. Për Mossadin, kjo është një formë e qartë e luftës psikologjike, ku çdo telefonatë mund të jetë po aq vdekjeprurëse sa një raketë.
Izraeli ka rihapur hapësirën ajrore, tha të martën(24 qershor) Autoriteti i Aeroporteve të Izraelit, pas një nate me breshëri raketash nga Irani.
Hapësira ajrore e Izraelit u mbyll për shkak të valëve të shumta të raketave iraniane disa orë para se të hynte në fuqi një armëpushim.
Hapja e saj erdhi pasi Izraeli tha se pranoi propozimin e armëpushimit pasi “arriti objektivat” e sulmeve të saj ndaj Iranit. Sipas deklaratës, Izraeli ka hequr “kërcënimin e dyfishtë ekzistencial të menjëhershëm” të Iranit nga armët bërthamore dhe raketat balistike.
Në deklaratë gjithashtu thuhet se Izraeli “i ka shkaktuar dëme të rënda udhëheqjes ushtarake dhe ka shkatërruar dhjetëra objektiva qendrore të qeverisë iraniane”.
Ishte presidenti amerikan, Donald Trump ai që njoftoi se armëpushimi mes Izraelit dhe Iranit është arritur.
“Armëpushimi është tani në fuqi. Ju lutem mos e shkelni!”, ka shkruar ai.
Ministri izraelit i mbrojtjes, Israel Katz, tha të martën se i ka urdhëruar ushtrisë së vendit të reagojë me forcë ndaj asaj që ai e quajti shkelje të armëpushimit me Izraelin nga Irani, raporton Reuters.
Direktiva pasoi një njoftim nga ushtria se kishte zbuluar lëshime raketash nga Irani drejt Izraelit.
Ushtria izraelite tha se po punonte për të rrëzuar raketat iraniane.
Katz tha se ushtria tani ishte udhëzuar të kryente operacione me intensitet të lartë kundër objektivave në Teheran.
Më pak se tre orë më parë, presidenti amerikan Donald Trump kishte thënë se armëpushimi tani ishte në fuqi. Ai u bëri thirrje të dyja vendeve që ta respektojnë. /Reporteri.net/
Çmimet e naftës arritën nivelin më të ulët në dy javët e fundit të martën, pasi Izraeli pranoi propozimin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për armëpushim me Iranin.
Çmimet e naftës së papërpunuar ranë me 3.82 dollarë, ose 5.3%, në 67.66 dollarë për fuçi në orën 08:45 me kohën tonë lokale.
Nafta e papërpunuar e SHBA-së, West Texas Intermediate, ra me 3.75 dollarë, ose 5.5%, në 64.76 dollarë për fuçi, raporton Reuters.
Izraeli ka rënë dakord me propozimin e Trump për një armëpushim me Iranin, tha kryeministri Benjamin Netanyahu në një deklaratë të lëshuar nga zyra e tij të martën.
Trump tha të hënën se Izraeli dhe Irani kanë rënë dakord plotësisht për një armëpushim, duke shtuar se Irani do të fillojë armëpushimin menjëherë, i ndjekur nga Izraeli pas 12 orësh.
Nëse të dyja palët ruajnë paqen, lufta do të përfundojë zyrtarisht pas 24 orësh, duke i dhënë fund një konflikti 12-ditor.
Irani është prodhuesi i tretë më i madh i naftës bruto në OPEC, dhe armëpushimi do t’i mundësonte atij të eksportonte më shumë naftë dhe të parandalonte ndërprerjet e furnizimit, një faktor i rëndësishëm në rritjen e çmimeve të naftës në ditët e fundit.
Mediat shtetërore të Iranit raportuan këtë mëngjes mbi armëpushimin e shpallur nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump midis Iranit dhe Izraelit, duke pretenduar se armëpushimi në fakt iu “imponua Izraelit” pas, siç thonë ata, “përgjigjes së suksesshme ushtarake të Iranit ndaj agresionit amerikan”.
Siç kujtojnë ata, Irani nisi dje një sulm ndaj bazës ushtarake amerikane në Katar, në përgjigje të sulmeve ajrore të SHBA-së një ditë më parë ndaj objekteve bërthamore iraniane.
Raporti i televizionit shtetëror iranian deklaroi gjithashtu se Trump kërkoi një armëpushim “në një mënyrë që i ngjante një lutjeje”, duke u përpjekur kështu të formësonte një narrativë për publikun vendas në të cilën Irani i ka tejkaluar ushtarakisht dhe diplomatikisht kundërshtarët e tij.
Megjithatë, Trump paraqiti një version krejtësisht të ndryshëm të ngjarjeve në rrjetin e tij social Truth Social. Ai tha se Izraeli dhe Irani iu afruan “pothuajse njëkohësisht” dhe i thanë: “paqe”.
“E dija që koha ishte e duhura” shtoi Trump në postim. Ai më pas bëri të ditur se armëpushimi tashmë ka hyrë në fuqi. /Reporteri.net/
Kanali televiziv shtetëror iranian thonë se armëpushimi i është “imponuar” Izraelit pas sulmit që ata e kanë cilësuar të suksesshëm ndaj bazës amerikane në Katar.
Televizioni shtetëror tha në një deklaratë se Trump “u lut” për një armëpushim pas sulmit të Iranit. Deklarata u lexua me zë të lartë nga prezantuesi.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka njoftuar në një postim në rrjetet sociale se Irani dhe Izraeli kanë rënë dakord për një armëpushim. “Me supozimin se gjithçka funksionon siç duhet, dhe se do të funksionojë, do të doja t’i përgëzoja të dy vendet, Izraelin dhe Iranin, që patën qëndrueshmërinë, guximin dhe inteligjencën për t’i dhënë fund asaj që duhet të quhet “LUFTA 12-DITORE”, shkroi Trump në platformën e tij, Truth Social.
Trump ndërmjetësoi armëpushimin përmes bisedimeve me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu të hënën, ndërsa ekipi i tij, përfshirë zëvendëspresidentin JD Vance, zhvilloi bisedime me Teheranin, tha një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë për Reuters. Zyrtari, duke dhënë detaje të armëpushimit në kushte anonimiteti, tha se Izraeli ra dakord për të për sa kohë që Irani nuk nis sulme të reja./Reporteri.net/
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka njoftuar në një postim në rrjetet sociale se Irani dhe Izraeli kanë rënë dakord për një armëpushim. “Me supozimin se gjithçka funksionon siç duhet, dhe se do të funksionojë, do të doja t’i përgëzoja të dy vendet, Izraelin dhe Iranin, që patën qëndrueshmërinë, guximin dhe inteligjencën për t’i dhënë fund asaj që duhet të quhet “LUFTA 12-DITORE”, shkroi Trump në platformën e tij, Truth Social.
Trump ndërmjetësoi armëpushimin përmes bisedimeve me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu të hënën, ndërsa ekipi i tij, përfshirë zëvendëspresidentin JD Vance, zhvilloi bisedime me Teheranin, tha një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë për Reuters. Zyrtari, duke dhënë detaje të armëpushimit në kushte anonimiteti, tha se Izraeli ra dakord për të për sa kohë që Irani nuk nis sulme të reja.
Pas njoftimit të armëpushimit nga Trump, Forcat Mbrojtëse të Izraelit lëshuan një paralajmërim evakuimi për disa pjesë të kryeqytetit iranian, përpara një sulmi të planifikuar izraelit. Në mediat sociale, disa përdorues raportuan shpërthime masive në Teheran, të cilat ata thanë se ishin më intensivet që kur Izraeli filloi të bombardonte Iranin 12 ditë më parë.
Irani nisi disa raketa balistike drejt Izraelit herët të martën, me të paktën një nga raketat që goditi drejtpërdrejt një ndërtesë banimi në Be’er Sheva, duke vrarë tre dhe duke plagosur tetë të tjerë, thanë shërbimet e emergjencës.
Sulmet erdhën pas orës 04:00 të mëngjesit sipas kohës së Teheranit, koha kur ministri i jashtëm iranian Abbas Araghchi tha se do t’i jepte fund sulmeve të tij nëse Izraeli ndalonte bombardimet e tij.
Kryeministri i Katarit thuhet se siguroi pëlqimin e Iranit për propozimin e armëpushimit të SHBA-së në një telefonatë me Teheranin, tha për Reuters një zyrtar i informuar për këtë çështje./Reporteri.net/
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka njoftuar se është arritur marrëveshje armëpushimi mes Izraelit dhe Iranit, shkruan Reporteri.net.
Sipas Trump, armëpushimi do të nisë “përafërsisht gjashtë orë prej tani”, pasi secili shtet t’i ketë kryer operacionet ushtarake.
Në njoftimin e Trumpit janë përmendur disa afate kohore për dhënie fund të armiqësive, por që “brenda 24 orësh” lufta zyrtarisht do të ketë përfunduar.
“URIME PËR TË GJITHË! Ka dakordim midis Izraelit dhe Iranit që do të ketë një ARMËPUSHIM TË PLOTË DHE TOTAL (rreth 6 orë nga tani, kur Izraeli dhe Irani të kenë përfunduar dhe mbyllur misionet e tyre përfundimtare që janë në proces!), për 12 orë, dhe në atë pikë Lufta do të konsiderohet E MBARUAR!”
Ai përgëzoi të dy vendet për, siç u shpreh, “qëndrueshmërinë, guximin dhe inteligjencën.”
“Zyrtarisht, Irani do të nisë ARMËPUSHIMIN dhe, pas orës së 12-të, Izraeli do të nisë ARMËPUSHIMIN dhe, pas orës së 24-të, një FUND ZYRTAR i LUFTËS 12 DITORE do të përshëndetet nga e gjithë Bota. Gjatë çdo faze të ARMËPUSHIMIT, pala tjetër do të qëndrojë PAQËSORE dhe ME RESPEKT. Duke supozuar që gjithçka do të funksionojë siç duhet – dhe do të funksionojë – unë dua të përgëzoj të dyja vendet, Izraelin dhe Iranin, për qëndrueshmërinë, guximin dhe inteligjencën për ta përfunduar atë që duhet të quhet “LUFTA 12 DITORE.” Kjo ishte një luftë që mund të kishte zgjatur me vite dhe të shkatërronte të gjithë Lindjen e Mesme, por nuk ndodhi dhe kurrë nuk do të ndodhë! Zoti e bekoftë Izraelin, Zoti e bekoftë Iranin, Zoti e bekoftë Lindjen e Mesme, Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ZOTI E BEKOFTË BOTËN!”, ka shkruar Trump.
Kryediplomati i Iranit, Abbas Araghchi, ka thënë se janë gati të përgjigjen sërish në rast të ndonjë “agresioni tjetër” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruan “The Guardian”, përcjell Reporteri.net.
Ai ka thënë se sulmi i sotëm ndaj bazës amerikane Al Udeid në Katar ishte përgjigje “ndaj agresionit të ShBA’së ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Iranit”
Araghchi ka deklaruar se Irani është i gatshëm të reagojë sërish nëse Shtetet e Bashkuara ndërmarrin veprime të mëtejshme./Reporteri.net
Agjencia e lajmeve AFP ka siguruar pamje pas raketave që lëshoi Irani në drejtim të bazës amerikane “Al Udeid”, në Katar.
Në këtë foto shihet ajo çfarë ka mbetur nga raketa iraniane e rrëzuar mbi Katar.
Autoritetet amerikane kanë thënë se nuk ka raportime për viktima.
Presidenti i ShBA’së, Donald Trump ka deklaruar se përgjigja e Iranit ndaj sulmeve amerikane në qendrat bërthamore ka qenë e pritur, ndërsa sulmin e ka përshkruar si “shumë të dobët”.
“Janë nisur 14 raketa – 13 janë rrëzuar ndërsa njëra është lënë e lirë sepse ka qenë në një drejtim që nuk përbënte kërcënim”.
Baza Al Udeid gjendet afër kryeqytetit të Katarit, Doha, dhe shërben si seli për operacionet ajrore të Komandës Qendrore të Shteteve të Bashkuara për rajonin e Lindjes së Mesme. Në të janë të stacionuar 8.000 ushtarë amerikanë./Reporteri.net
Ambasada amerikane në Katar e ka shfuqizuar urdhrin për strehim në zona të sigurta, që ishte vendosur më herët gjatë ditës së hënë.
Në një përditësim të të dhënave në faqen e saj, Ambasada ka thënë se do të rihapet nesër dhe do t’i vazhdojë shërbimet konsullore “pa ndërprerje”.
Hapësira ajrore e Katarit vazhdon të jetë e mbyllur, prandaj Ambasada ka kërkuar kujdes të shtuar ndaj atyre që janë duke udhëtuar.
Presidenti amerikan Donald Trump ka thënë se Irani i njoftoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës para se të lëshonte raketa ndaj bazës ushtarake amerikane në Katar, që sipas tij, ndikoi që të mos kishte asnjë viktimë, shkruan “The Guardian”, përcjell Reporteri.net.
Trump ka deklaruar se përgjigja e Iranit ndaj sulmeve amerikane në qendrat bërthamore ka qenë e pritur, ndërsa sulmin e ka përshkruar si “shumë të dobët”.
“Janë nisur 14 raketa – 13 janë rrëzuar ndërsa njëra është lënë e lirë sepse ka qenë në një drejtim që nuk përbënte kërcënim”.
Ai ka thënë se nga sulmi nuk ka asnjë amerikan të lënduar.
“…asnjë amerikan nuk u lëndua dhe dëmi ishte pothuajse i papërfillshëm. Më e rëndësishmja, ata e nxorën të gjithën nga ‘sistemi i tyre’ dhe, me shpresë që nuk do të ketë më urrejtje,” shkroi Trump në një postim në Truth Social.
Sipas Trump, Irani dhe Izreeli duhet të drejtohen tani kah paqja dhe harmonia.
“Ndoshta tani Irani mund të ecë drejt paqes dhe harmonisë në rajon, dhe unë do ta inkurajoj me entuziazëm Izraelin të bëjë të njëjtën gjë.”
Në një postim tjetër, ai ka shkruar “Urime botë, është koha për paqe”./Reporteri.net
Lideri suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, ka bërë reagimin e parë pas sulmit me raketa ndaj bazave amerikane në Katar dhe Iran, të cilat u rrëzuan nga Katari.
Khamenei ka thënë se nuk pranojnë asnjë agresion nga askush “në asnjë rrethanë”, teksa publikoi një imazh ku shihet duke u djegur flamuri amerikan, duke shtuar se s’do t’i nënshtrohen askujt, shkruan Reporteri.net.
“Ne s’i kemi bërë keq askujt dhe nuk do të pranojmë agresion nga askush në asnjë rrethanë. Dhe nuk do t’i nënshtrohemi agresionit të askujt. Kjo është logjika e kombit iranian”, ka shkruar ai në platformën “x”./Reporteri.net
Ministria e Brendshme e Katarit e ka lëshuar një deklaratë duke thënë se “konfirmon se situata e sigurisë në shtet është stabile dhe nuk ka arsye për shqetësim”.
Deklarata vjen pasi Irani lëshoi raketa në drejtim të bazës amerikane në këtë shtet, që u rrëzuan nga mbrojtja ajrore.
“Ministria thekson rëndësinë e mosdorëzimit ndaj thashethemeve që janë duke qarkulluar informacion të pavërtetë”, është thënë në deklaratë.
Ministria e Brendshme ka thënë se do të koordinohet me autoritete tjera të Katarit për të “garantuar sigurinë e qytetarëve dhe për kthim të normalitetit”.
Irani ka lëshuar sot raketa ndaj dy bazave amerikane në Lindjen e Mesme, në Katar dhe në Irak. Baza “Aj Udeid”, e cila u sulmua sot, është më e madhja e ShBA’së në këtë rajon, përcjell Reporteri.net.
Por cilat janë bazat tjera kryesore amerikane në Lindje të Mesme. “Reuters” ka përgatitur një listë me detaje të bazave ajrore amerikane.
BAHREJN:
Selia e Flotës së Pestë të Marinës Amerikane, e cila ka përgjegjësi për Gjirin, Detin e Kuq, Detin Arabik dhe pjesë të Oqeanit Indian.
KATARI:
Baza Ajrore Al Udeid, me sipërfaqe 24 hektarë, në shkretëtirën jashtë kryeqytetit Doha, shërben si selia e avancuar e Komandës Qendrore të SHBA-së, e cila drejton operacionet ushtarake amerikane në një territor të gjerë që shtrihet nga Egjipti në perëndim deri në Kazakistan në lindje. Baza më e madhe amerikane në Lindjen e Mesme strehon rreth 10,000 trupa.
KUVAJTI:
Disa objekte ushtarake të gjera përfshijnë Kampin Arifjan, selinë e përparme të Ushtrisë Qendrore Amerikane dhe Bazën Ajrore Ali Al Salem, afërsisht 40 kilometra nga kufiri irakian dhe e njohur si “Shkëmbi” për mjedisin e saj të izoluar dhe të ashpër.
Kampi Buehring u krijua gjatë Luftës së Irakut në vitin 2003 dhe është një pikë referimi për njësitë e Ushtrisë Amerikane që vendosen në Irak dhe Siri, sipas faqes së internetit të Ushtrisë Amerikane.
EMIRATET E BASHKUARA ARABE:
Baza Ajrore Al Dhafra, e vendosur në jug të kryeqytetit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Abu Dhabi, dhe e ndarë me Forcat Ajrore të Emirateve të Bashkuara Arabe, është një qendër kritike e Forcave Ajrore Amerikane që ka mbështetur misione kyçe kundër Shtetit Islamik, si dhe vendosje zbulimi në të gjithë rajonin, sipas Komandës Qendrore të Forcave Ajrore Amerikane.
Porti Jebel Ali i Dubait, ndërsa nuk është një bazë ushtarake formale, është porti më i madh i Marinës Amerikane në Lindjen e Mesme që pret rregullisht transportues aeroplanësh amerikanë dhe anije të tjera.
IRAK:
SHBA-të mbajnë një prani në Bazën Ajrore Ain Al Asad në provincën perëndimore Anbar, duke mbështetur forcat irakiane të sigurisë dhe duke kontribuar në misionin e NATO-s, sipas Shtëpisë së Bardhë. Sulmet raketore iraniane që shënjestruan bazën në vitin 2020, në shenjë hakmarrjeje, për vrasjen e gjeneralit iranian Qasem Soleimani nga SHBA-të.
E vendosur në Rajonin gjysmë-autonom të Kurdistanit në Irakun verior, Baza Ajrore e Erbilit shërben si një qendër për forcat amerikane dhe të koalicionit që kryejnë ushtrime stërvitore dhe stërvitje betejash. Baza mbështet përpjekjet ushtarake amerikane duke ofruar një vendndodhje të sigurt për stërvitje, ndarje inteligjence dhe koordinim logjistik në Irakun verior, sipas raportit të kongresit.
ARABIA SAUDITE:
Ushtarët amerikanë në Arabinë Saudite – të cilët numëronin 2 mijë e 321 në vitin 2024 sipas një letre të Shtëpisë së Bardhë – veprojnë në koordinim me qeverinë saudite, duke siguruar aftësi mbrojtëse ajrore dhe raketore dhe duke mbështetur operacionin e avionëve ushtarakë amerikanë.
Disa janë të stacionuar afërsisht 60 kilometra në jug të Riadit, në Bazën Ajrore Prince Sultan, e cila mbështet asetet e mbrojtjes ajrore të Ushtrisë Amerikane, duke përfshirë bateritë e raketave Patriot dhe sistemet e Mbrojtjes së Zonës së Lartë Terminale.
JORDANI:
E vendosur në Azraq, 100 kilometra në verilindje të kryeqytetit Amman, Baza Ajrore Muwaffaq al Salti strehon Krahun Ekspedicionar Ajror të 332-të të Forcave Ajrore Qendrore të SHBA-së, i cili angazhohet në misione në të gjithë Levantin, sipas një raporti të vitit 2024 të Kongresit.
Al Udeid gjendet afër kryeqytetit të Katarit, Doha, dhe shërben si seli për operacionet ajrore të Komandës Qendrore të Shteteve të Bashkuara për rajonin e Lindjes së Mesme.
Në të janë të stacionuar 8.000 ushtarë amerikanë.
Edhe forcat britanike shërbejnë aty me rotacion.
Ky objekt shërben si seli dhe bazë logjistike për operacionet amerikane në Irak, dhe e ka pistën me të gjatë të uljes ajrore në rajonin e Gjirit.
Katari i ka dhënë qasje SHBA-së në bazën Al Udeid në vitin 2000.
Pasi amerikanët e kanë marrë bazën nën menaxhim më 2001, Doha dhe Uashingtoni kanë nënshkruar marrëveshje në dhjetor të vitit 2002 për të njohur edhe zyrtarisht prezencën e ushtrisë amerikane në bazën Al Udeid.
Më 2024, rrjeti televiziv amerikan CNN ka raportuar se SHBA-ja ka arritur marrëveshje për të zgjatur prezencën ushtarake në Katar edhe për 10 vjet./REL
Shtetet e Bashkuara të Amerikës konfirmuan për sulmet iraniane ndaj bazave ushtarake në Qatar dhe Irak, ka raportuar CNN.
SHBA-ja tha se sulmet janë kryer me raketa balistike me rreze të shkurtër dhe të mesme veprimi.
Për momentin s’ka raportime për viktima amerikanë.
“Ne po e monitorojmë situatën nga afër dhe do të ofrojmë më tepër informacione sapo të jetë të qasshme”, ka thënë një zyrtar amerikan.
Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë ka deklaruar për CNN se Administrata Trump e priste një hakmarrje nga Teherani pas sulmeve amerikane ndaj objekteve bërthamore iraniane gjatë fundjavës.
Sipas këtij zyrtari, Trump nuk dëshiron përfshirje të mëtejshme ushtarake në rajon, përveç nëse kjo është e nevojshme, përcjell Reporteri.net.
“E dinim që do të hakmerreshin. Bënë të njëjtën gjë pas Soleimanit,” tha zyrtari, duke iu referuar Qasem Soleimanit, komandantit iranian të vrarë nga një sulm ajror amerikan në vitin 2020.
Sipas zyrtarit, vlerësimet fillestare tregojnë se raketat e lëshuara nga Irani të hënën nuk goditën objektivat e tyre të synuara. Ministria e Mbrojtjes e Katarit njoftoi se sistemet e mbrojtjes ajrore kapën raketat iraniane që synonin bazën ajrore amerikane në vend.
Zyrtari shtoi se Presidenti Donald Trump është i gatshëm për përfshirje të mëtejshme ushtarake nëse është e nevojshme. Trump pritet të zhvillojë bisedime me zyrtarë të sigurisë kombëtare pasdite, dhe qëndrimi i tij mund të ndryshojë në varësi të zhvillimeve./Reporteri.net
Avionët amerikanë që nuk ishin të strehuar (të pambrojtur) u larguan nga baza ajrore Al Udeid në Katar javën e kaluar, sipas një imazhi satelitor të datës 19 qershor, i cili tregon pistën pothuajse bosh, raporton CNN, përcjell Reporteri.net.
Kjo tregon se avionët u zhvendosën përpara se Irani të kryente sulmin me raketa ndaj Al Udeid të hënën, si kundërpërgjigje ndaj sulmeve të SHBA-së ndaj objekteve bërthamore iraniane gjatë fundjavës.
Dy zyrtarë të mbrojtjes i kanë thanë CNN-it javën e kaluar se avionët ishin çuar në vende të tjera si pjesë e përpjekjes së ushtrisë amerikane për të mbrojtur asetet dhe pajisjet e saj në Lindjen e Mesme, në mes të konfliktit midis Iranit dhe Izraelit.
Gjithashtu, të gjitha anijet luftarake të Marinës Amerikane që ishin të vendosura përpara në bazën detare Naval Support Activity Bahrain (në shtetin ishullor Bahrein), u larguan nga porti javën e kaluar. Nuk është ende e qartë se ku janë dërguar avionët dhe anijet./Reporteri.net
Zyrtarë iranianë e njoftuan paraprakisht Katarin për sulmin ndaj bazës amerikane atje, para se të lëshonin raketat, raporton CNN, duke u thirrur në një burim.
Siç raporton CNN, koordinimi kishte për qëllim që të minimizojë viktimat.
Një zyrtar amerikan i tha CNN se nuk kanë informacione për ndonjë të plagosur apo të vdekur në sulmin ndaj bazës ajrore Al Udeid.
Ministria e Mbrojtjes e Katarit njoftoi të hënën se sistemet e mbrojtjes ajrore ndaluan sulmin me raketa iraniane ndaj bazës ajrore./Reporteri.net
BBC ka publikuar pamje nga momenti i sulmit të Iranit me raketa ndaj bazës amerikane në Katar.
Në pamjet e publikuara shihet si bëhet mbrojtja ajrore.
Katari dënoi ashpër më herët sulmin, teksa tha se e ka ndaluar përmes mbrojtjes ajrore.
Sipas tyre, nga sulmi nuk ka as të vdekur e as të plagosur./Reporteri.net
Qeveria e Katarit ka reaguar pas sulmit ndaj bazës ajrore amerikane Al-Udeid nga Irani, duke e dënuar fuqishëm sulmin, raporton BBC, përcjell Reporteri.net.
Majed al-Ansari, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Katarit, e cilësoi shkelje të sovranitetit të Katarit këtë sulm.
“E konsiderojmë këtë si një shkelje flagrante të sovranitetit të Shtetit të Katarit, të hapësirës ajrore të tij, të ligjit ndërkombëtar dhe të Kartës së Kombeve të Bashkuara.”, ka shkruar ai në platformën “X”.
Ai shtoi se sistemet e mbrojtjes ajrore të Katarit “ndaluan me sukses sulmin dhe kapën raketat iraniane”, dhe se baza ishte evakuuar më herët.
Al-Ansari theksoi gjithashtu:
“U morën të gjitha masat e nevojshme për të garantuar sigurinë e personelit në bazë, përfshirë anëtarët e Forcave të Armatosura të Katarit, forcat mike dhe të tjerë.”
Ai ka konfirmuar se s’ka asnjë të plagosur apo të vdekur nga sulmi.
Qeveria e Katarit deklaroi gjithashtu se ruan të drejtën për t’u përgjigjur “në mënyrë të barabartë me natyrën dhe shkallën e këtij agresioni”./Reporteri.net
Shtetet e Bashkuara po ndjekin lëvizjen e disa raketave të lëshuara nga Irani në drejtim të bazave ushtarake amerikane në Katar dhe Irak, raporton CNN, përcjell Reporteri.net.
Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, dhe gjenerali Dan Caine, ndodhen aktualisht në Dhomen e Situatës (Situation Room), sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë. Reuters raporton se edhe Presidenti Donald Trump ndodhet aty.
Një zyrtar i lartë tha më herët se Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Mbrojtjes ishin duke monitoruar nga afër kërcënimet e mundshme ndaj bazës ajrore Al Udeid në Katar.
Presidenti Donald Trump vizitoi bazën muajin e kaluar – duke u bërë komandanti i parë i përgjithshëm që e viziton atë që nga viti 2003. Al Udeid është baza më e madhe ushtarak i SHBA-së në Lindjen e Mesme.
Trump, gjatë fjalës së tij më 17 maj, tha: “Asnjë vizitë në Gjirin Persik nuk do të ishte e plotë pa ndalur për t’i përshëndetur ata që e mbajnë Amerikën të sigurt, të fortë dhe të lirë.”/Reporteri.net
Irani ka deklaruar se ka sulmuar forcat amerikane të stacionuara në bazën ajrore “Al Udeid” në Katar, raporton “The Guardian“, përcjell Reporteri.net.
Njoftimi u bë në televizionin shtetëror iranian, ndërsa në sfond luhej muzikë ushtarake, dhe në ekran shfaqej mbishkrimi:
“Një përgjigje e fuqishme dhe e suksesshme nga forcat e armatosura të Iranit ndaj agresionit amerikan.”
Sulmi ndodhi pak kohë pasi Katar mbylli hapësirën e tij ajrore si masë paraprake, për shkak të kërcënimeve të shpallura nga Irani./Reporteri.net
Irani ka lëshuar 6 raketa drejt bazave amerikane në Katar, siç raporton Reuters, duke cituar një zyrtar izraelit për Axios, përcjell Reporteri.net.
Për shkak të tensioneve, Katarit iu mbyll hapësira ajrore, ndërsa ambasadat e SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar i këshilluan qytetarët e tyre të qëndrojnë në vend dhe të mbrohen.
Agjencia iraniane e lajmeve “Tasnim” raporton se Irani ka nisur një operacion ndaj bazave amerikane në Katar dhe Irak.
Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë tha se Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti Amerikan i Mbrojtjes janë të vetëdijshëm dhe po e monitorojnë nga afër kërcënimin e mundshëm ndaj bazës ajrore Al Udeid në Katar./Reporteri.net
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri ka publikuar një paralajmërim global të rëndësishëm për të gjithë shtetasit amerikanë, në lidhje me situatën e tensionuar në Lindjen e Mesme.
Në njoftim thuhet se konflikti në zhvillim midis Izraelit dhe Iranit ka shkaktuar ndërprerje të udhëtimeve dhe mbyllje të herëpashershme të hapësirës ajrore në rajon. Për më tepër, ekziston rreziku i protestave kundër qytetarëve dhe interesave të SHBA-së në vende të ndryshme të botës.
“Paralajmërim global: Konflikti midis Izraelit dhe Iranit ka shkaktuar ndërprerje të udhëtimeve dhe mbyllje periodike të hapësirës ajrore në të gjithë Lindjen e Mesme. Ekziston mundësia për protesta kundër qytetarëve dhe interesave të Shteteve të Bashkuara jashtë vendit,” thuhet në deklaratën e Ambasadës së SHBA në Tiranë.
Departamenti Amerikan i Shtetit u bën thirrje të gjithë shtetasve amerikanë që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë udhëtimeve ndërkombëtare dhe të informohen para çdo lëvizjeje.
“Ju lutemi lexoni me kujdes ‘Travel Advisory’, informacionet për vendin dhe çdo alarm sigurie të fundit përpara se të planifikoni një udhëtim në: travel.state.gov/destination”, përfundon njoftimi zyrtar
Ushtria e Izraelit ka paralajmëruar se sulme tjera ndaj Iranit ditëve në vazhdim, teksa u ka bërë thirrje banorëve të Teheranit që të evakuohen.
Përmes një postimi në platformën “x”, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) u kanë kërkuar banorëve që të qëndrojnë larg objekteve ushtarake dhe institucioneve të sigurisë që janë të lidhura me regjimin iranian, shkruan BBC, përcjell Reporteri.net.
“Qytetarë të nderuar të Teheranit, në ditët në vijim, ushtria izraelite do të vazhdojë sulmet ndaj objektivave ushtarake në zonën e Teheranit. Për sigurinë tuaj personale, ju lutemi të qëndroni larg qendrave të prodhimit të armëve, shtabeve ushtarake dhe institucioneve të sigurisë të lidhura me regjimin”, thuhet në postimin e ushtrisë./Reporteri.net
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, po flet për gazetarët përpara një samiti në Hagë, duke deklaruar se Irani s’duhet të zhvillojë armë bërthamore, përcjell Reporteri.net.
“Sa i përket qëndrimit të NATO-s për programin bërthamor të Iranit, aleatët kanë kohë që janë dakord që Irani nuk duhet të zhvillojë një armë bërthamore,” tha ai.
“Aleatët kanë bërë vazhdimisht thirrje që Irani të përmbushë detyrimet e tij sipas traktatit për mos përhapjen e armëve bërthamore.”
Duke kaluar tek lufta e Rusisë në Ukrainë, ai shtoi se Irani është “i përfshirë thellësisht”, duke thënë se Irani ka dërguar dronë që Rusia po i përdor për të vrarë civilë ukrainas.
/Reporteri.net/
Presidenti i ShBA-së, Donald Trump ka kërkuar që çmimet e naftës të mbahen të ulëta, në një postim në “Truth Social”, duke reaguar ndaj diskutimeve rreth mundësisë që Irani të mbyllë Ngushticën e Hormuzit, përcjell Reporteri.net.
“Ttë gjithë, mbajini çmimet e naftës të ulëta. Po ju vëzhgoj Po ia lehtësoni punën armikut. Mos e bëni” shkruan ai në platformën e tij.
Trump nuk e bën të qartë se kujt konkretisht i drejtohet me këtë thirrje.
Korpusi i Gardës Revolucionare të Iranit reagoi ndaj postimit të Trump në kanalin e saj në Telegram, duke shkruar:
“Thashethemet për mbylljen e Ngushticës së Hormuzit e kanë trembur Trumpin!”.
Ngushtica e Hormuzit është një rrugë detare kyçe që lidh Gjirin e pasur me naftë me Oqeanin Indian, dhe rreth 20% e furnizimit ditor të botës me naftë kalon përmes saj.
/Reporteri.net/