×
  • Lajme
  • Botë

    Trump: Do t`i bëj publike të dhënat e mia financiare

    Reporteri
    21 Nëntor 2019 | 16:46

    Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar të enjten se do të publikojë të dhëna mbi financat e tij përpara zgjedhjeve presidenciale të 2020, duke shtuar se i takonte atij të vendoste mbi këtë çështje. Njoftimi vjen në një kohë që Trump po përballet me padi e thirrje nga përfaqësues të politikës, për të publikuar të dhëna rreth taksave dhe informacione të tjera të lidhura me financat e tij.


    “Unë jam i pastër dhe kur të publikoj deklaratat mbi financat e mia dikur përpara zgjedhjeve, do të tregoj vetëm një gjë, që jam shumë më i pasur nga sa mendonin njerëzit dhe kjo është një gjë e mirë”, ka shkruar Trump në “Twitter”, por pa dhënë detaje mbi pretendimet e tij mbi pasurinë që disponon.

    Presidenti Trump shkruante gjithashtu se hetimi dy vjeçar i ish-prokurorit të Posaçëm Robert Mueller lidhur me ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhje, që së fundmi çoi në dënimin e ish-këshilltarit të tij, Roger Stone, tregoi siç shkruante, se ai nuk kishte asnjë problem me financat.

    Ai ka treguar se Mueller kishte kontrolluar gjithë situatën e tij financiare si dhe taksat e tij dhe se nuk kishte gjetur asgjë shqetësuese. “Tashmë gjuetia e shtrigave po vazhdon në nivel lokal në Nju Jork me prokurorët demokratë që po kontrollojnë çdo marrëveshje financiare që unë kam bërë. Kjo nuk i ka ndodhur kurrë më parë me Presidentin. Ajo çka ata po bëjnë nuk është e ligjshme”, ka shkruar Trump.

    Donald Trump është kandidati i parë për president i një force të madhe politike që nga koha e Gerald Ford-it në 1976-n, që nuk publikon të dhëna rreth pagesës së taksave.

    Ndërkohë, një gjykatë apeli në New York mori vendimin që firma e kontabilitetit e cila punon prej një kohe të gjatë me financat e zotit Trump, t’i dorëzojë prokurorëve të dhëna për tetë vjet pagesa të taksave nga ana e zotit Trump./voa/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!