Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se forcat amerikane e vranë komandantin kryesor të ushtrisë iraniane, Qasem Soleimani, për të ndaluar një luftë e jo për të nisur një të tillë.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se mbretërimi terrorist i Soleimani-t përfundoi pas një sulmi ajror në aeroportin e Bagdadit.
Soleimani ishte udhëheqës i operacioneve të ushtrisë iraniane në Lindje të Mesme si komandant i forcave Kuds. Irani është zotuar se do të hakmerret ashpër për vrasjen e tij.
Kjo vrasje i ka rritur shumë tensionet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara. Zyrtarët amerikanë thanë se do t’i dërgojnë tre mijë trupa shtesë në Lindje të Mesme si masë parandaluese ndaj ndonjë sulmi të mundshëm.
Televizioni shtetëror irakian njoftoi se në territorin e këtij shteti ka ndodhur edhe një sulm tjetër, 24 orë pas vrasjes së komandantit iranian. Raportohet se në këtë sulm u vranë gjashtë persona. Sidoqoftë, një zëdhënës i forcave amerikane mohoi se ato janë përgjegjëse për këtë sulm.
Iraku është gjendur në pozitë të vështirë në tërë këtë situatë, sepse ka marrëdhënie të mira me të dyja palët e konfliktit, Iranin dhe Shtetet e Bashkuara. Sidoqoftë, qeveria irakiane ka thënë se Shtetet e Bashkuara kanë vepruar përtej rolit të tyre në Irak me sulmin ndaj komandantit iranian, shkruan “BBC”.
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.