×
  • Lajme
  • Botë / Administrata e re

    Trump emëron senatorin Rubio për postin e Sekretarit të Shtetit

    Reporteri
    13 Nëntor 2024 | 21:30

    Presidenti i zgjedhur Donald Trump njoftoi të mërkurën se ka emëruar senatorin republikan Marco Rubio për postin e sekretarit të Shtetit, në administratën e tij të re.

    “Ai do të jetë një avokat i fortë për kombin tonë, një mik i vërtetë i aleatëve tanë dhe një luftëtar i patrembur që nuk do të tërhiqet kurrë ndaj kundërshtarëve tanë”, shprehej Trump në një deklaratë.

    Ligjvënësi konservator Marco Rubio njihet për qëndrimet e tij të forta ndaj Kinës, Kubës dhe Iranin dhe ishte një nga kandidatët që zotit Trump po shqyrtonte për postin e nënpresidentit, përpara se të vendoste përfundimisht për senatorin J.D Vance.

    Rubio është nënkryetar i Komisionit të Senatit për Zbulimin dhe anëtar i komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë.

    Ai ka nxitur një qëndrim më të ashpër kundër Kinës duke patur si objektiv aplikacionin e mediave sociale TikTok, kompania mëmë e së cilës është kineze. Ai dhe ligjvënës të tjerë thonë se Pekini mund të sigurojë qasje tek dhënat e përdoruesve sa herë të dojë.

    Presidenti i zgjedhur Donald Trump e bëri njoftimin ndërsa po kthehej në Florida nga Uashingtoni pas takimit me Presidentin Joe Biden./VOA

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!