×
  • Lajme
  • Botë

    Trump: Javën tjetër do ta mbyll kufirin me Meksikën

    Reporteri
    29 Mars 2019 | 19:54

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump tha se do ta mbyllë kufirin jugor, apo një pjesë të madhe të tij, nëse Meksika nuk e ndalë menjëherë migrimin e paligjshëm.

    Ai tha se do të ishte shumë e lehtë për Meksikën që të ndalë migrimin e paligjshëm duke e goditur njëkohësisht edhe trafikun e drogës.

    Përmes një postimi tjetër në Twitter, presidenti Trump i bëri thirrje Kongresit që menjëherë të ndryshojë ligjet e migracionit. Ai akuzoi demokratët për ligje të “dobëta” të migracionit.

    Çështja e sigurisë në kufirin me Meksikën, ka ngjallur tash e sa kohë përplasje brenda Shteteve të Bashkuara.

    Gjatë fushatës zgjedhore, presidenti Trump, pati premtuar se do ta ndërtojë një mur në kufirin jugor me Meksikën në mënyrë që të ndalë migrimin e paligjshëm dhe trafikun e drogës.

    Gjatë fushatës ai tha se Meksika do ta ndërtojë murin me paratë e saj, mirëpo më vonë i kërkoi Kongresit ndarjen e 5.7 miliardë dollarëve për ndërtimin e murit.

    Kjo kërkesë po kundërshtohet nga demokratët në Kongres, duke mos ndarë mjetet e nevojshme për ndërtimin e tij. Presidenti Trump shpalli më pas gjendjen e emergjencës e cila i lejon atij të përdorë fondet e ndara për çështje tjera të mbrojtjes dhe sigurisë për të ndërtuar murin me Meksikën./REL

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!