Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka krahasuar sulmet amerikane ndaj Iranit gjatë fundjavës me bombat atomike që u hodhën mbi Japoninë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Trump ka thënë se në thelb janë e njëjta gjë, shkruan “The Guardian”, përcjell Reporteri.net.
“Nuk dua të përdor shembullin e Hiroshimës, nuk dua të përdor shembullin e Nagasakit, por ishte në thelb e njëjta gjë — ajo e përfundoi një luftë”, tha Trump gjatë Samitit të NATO-s në Hagë, të mërkurën.
Sipas Trump, sulmi ndaj objekteve bërthamore të Iranit e përfundoi luftën mes Izraelit dhe Iranit.
“Kjo [sulmi ndaj objekteve bërthamore të Iranit] e përfundoi luftën [mes Izraelit dhe Iranit]. Nëse nuk do t’i kishim goditur, ata do të ishin ende duke luftuar tani,” shtoi ai./Reporteri.net
Është një set të ri imazhesh satelitore gjatë natës, që tregojnë vendndodhjet bërthamore të Iranit në Isfahan, Fordo dhe Natanz.
Këto ishin tre nga objektivat e goditura nga ushtria amerikane gjatë fundjavës, përmes bombarduesve B-2 dhe raketave lundruese, dhe janë gjithashtu goditur edhe nga sulmet ajrore izraelite.
Presidenti amerikan Donald Trump, ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se sulmet amerikane shkaktuan një “shkatërrim total” të këtyre objekteve.
Imazhet me rezolucion të lartë të publikuara nga Maxar Technologies tregojnë dëmtime në ndërtesa si mbi ashtu edhe nën tokë, si dhe në rrugët e aksesit dhe tunelet përreth.
/Reporteri.net/
Shefi i NATO’s, Mark Rutte, është deklaruar rreth mesazhit që ia publikoi dje Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.
Rutte ka thënë se është “krejtësisht në rregull” që Trump ndau publikisht një mesazh lavdërues që ai i kishte dërguar, ndërsa po udhëtonte drejt Holandës për samitin e liderëve të mërkurën, duke theksuar se gjithçka që shkroi në atë mesazh ishte e vërtetë, shkruan CNN, përcjell Reporteri.net.
“Ajo që i thashë në mesazh, është krejtësisht në rregull që ai e publikoi,” tha Rutte teksa samiti po fillonte në Hagë. “Mendoj se është fakt.”
Ai hodhi poshtë pyetjen e një gazetari që sugjeroi nëse situata ishte disi e turpshme.
“Absolutisht jo,” tha ai.
“Ajo që është në atë mesazh është një deklaratë faktike dhe jam plotësisht në rregull që ai e ndau.”
Mesazhi, të cilin Trump e postoi në rrjetin e tij Truth Social teksa po fluturonte drejt Evropës të hënën, lavdëronte liderin amerikan për presionin ndaj vendeve anëtare të NATO-s që të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen.
“Ti do të arrish diçka që asnjë president amerikan prej dekadash nuk ka mundur ta realizojë. Evropa do të paguajë në mënyrë të MADHE, ashtu siç duhet, dhe kjo do të jetë një fitore për ty,” shkroi Rutte, përpara se t’i uronte Trump-it udhëtim të mbarë drejt Holandës për samitin e NATO-s.
Gjatë të njëjtit udhëtim, Trump nuk shprehu mbështetje të plotë për nenin 5 të traktatit të NATO-s, që lidhet me mbrojtjen kolektive. Por Rutte tha se nuk ishte i shqetësuar.
“Për mua ka qartësi të plotë që Shtetet e Bashkuara janë plotësisht të angazhuara ndaj NATO-s, plotësisht të angazhuara ndaj nenit 5, dhe po — ekziston edhe një pritshmëri, që do të përmbushet sot — që kanadezët dhe evropianët do të përshpejtojnë shpenzimet e tyre,” tha ai të mërkurën./Reporteri.net
Presidenti amerikan ka reaguar mbi raportimet se programi bërthamor i Iranit nuk u shkatërrua nga sulmet amerikane.
Duke folur me gazetarët në Air Force One, presidenti amerikan thotë se të tre centralet bërthamore në Iran u goditën “në mënyrë perfekte” dhe u shkatërruan.
Ai gjithashtu kritikoi raportimet e mediave amerikane lidhur me këtë çështje
Më parë ai sulmoi në mediat sociale mediat për përpjekjen për të poshtëruar, siç tha ai “një nga sulmet ushtarake më të suksesshme në histori”.
Trump po ashtu tha se nuk dëshiron të shohë ndryshim regjimi në Iran.
“Do të doja që gjithçka të qetësohej sa më shpejt të ishte e mundur. Ndryshimi i regjimit kërkon kaos, dhe idealisht nuk duam të shohim kaq shumë kaos”, shton ai.
Trump thotë gjithashtu se Vladimir Putin telefonoi për të ofruar ndihmën e tij me konfliktin e Iranit, por ai thotë se e refuzoi ofertën dhe i tha presidentit rus: “Jo, nuk kam nevojë për ndihmë me Iranin, kam nevojë për ndihmë me ty”. /Reporteri.net/
Liderët e vendeve anëtare të NATO-s janë mbledhur sot në Holandë për Samitin e NATO’s, që do të vazhdojë edhe nesër.
Ky është një takim i planifikuar, dhe pika më e rëndësishme në rendin e ditës është një plan për rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen. Megjithatë, liderët kanë diskutuar gjithashtu edhe situatën në Lindjen e Mesme, shkruan BBC, përcjell Reporteri.net.
Sipas Zyrës së Kryeministrit britanik (Downing Street), gjatë një takimi mes Kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer, Presidentit francez Emmanuel Macron dhe Kancelarit gjerman Friedrich Merz, liderët “reflektuan mbi situatën e paqëndrueshme në Lindjen e Mesme” dhe ranë dakord se “tani është momenti për diplomaci dhe që Irani të ulet në tryezën e negociatave.”
Pak orë pasi presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi se Izraeli dhe Irani janë pajtuar për një armëpushim, palët e kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkelje të marrëveshjes dhe kanë shkëmbyer sulme.
Presidenti Trump është shprehur i mllefosur me të dyja palët dhe më pas ka biseduar me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.
Zyrtarë të të dyja vendeve – Izraelit dhe Iranit – e kanë pranuar ndërkohë marrëveshjen për armëpushim dhe kanë thënë se po e zbatojnë.
Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian e ka lëshuar një deklaratë duke pranuar armëpushimin me Izraelin, sipas medias shtetërore.
Pezeshkian ka thënë se konflikti i është “imponuar” Iranit nga “aventurat” e Izraelit, dhe ka pretenduar se “populli i Iranit” është i vendosur për përfundim të “luftës 12-ditore”.
Ushtria izraelite e ka lëshuar një deklaratë përmes së cilës e pranon armëpushimin me Iranin dhe ka thënë se “fokusi tani zhvendoset sërish në Gazë”.
Gjenerali Eyal Zamir ka thënë se ushtria ka kryer “fazë të rëndësishme, por fushata kundër Iranit nuk ka përfunduar”.
“Po hyjmë në një fazë të re, të bazuar në arritjet e fazës aktuale. Kemi kthyer mbrapsht me vite projektin bërthamor të Iranit dhe e njëjta vlen për programin e tij raketor”, ka thënë ai.
Gjenerali Zamir i ka përshkruar veprimet e ushtrisë izraelite si “arritje fenomenale”.
Situata në Lindje të Mesme është e tensionuar prej sulmit të befasishëm të Izraelit në qendra bërthamore dhe ushtarake të Iranit më 13 qershor. Izraeli konsideron se Irani nuk mund të ketë armë
bërthamore sepse ia rrezikon ekzistencën, ndonëse Teherani pretendon se programin bërthamor e ka vetëm për qëllime paqësore.
Në konflikt janë përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara më 22 qershor, duke sulmuar qendrat bërthamore të Iranit.
Si kundërpërgjigje, Irani ka nisur të nesërmen raketa drejt bazës ajrore amerikane në Katar, por raketat janë rrëzuar dhe nuk është plagosur askush./REL
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se Izraeli “nuk ka pasur kurrë mik më të mirë se Presidenti Trump në Shtëpinë e Bardhë”, raporton “The Guardian”, përcjell Reporteri.net.
Këtë deklaratë Netanyahu e ka bërë në një videoadresim për izraelitët.
Duke e përshkruar luftën e tij kundër Iranit si një “fitore historike” që “do të mbahet mend për breza”, Netanyahu tha se Izraeli “duhet ta përfundojë” fushatën kundër Iranit, ta mposhtë Hamasin dhe për të lirojë pengjet e mbetura në Gaza, “si të gjallë ashtu edhe të vdekur.”/Reporteri.net
Presidenti Trump ka mbërritur në Amsterdam për samitin e NATO-s, ku pritet të takohet me 32 liderët e aleancës së sigurisë dhe të marrë pjesë në një darkë të organizuar nga mbreti i Holandës, raporton BBC, përcjell Reporteri.net.
Avioni i tij ka zbritur në aeroportin Schiphol të Amsterdamit pak pas orës 19:30 me orën lokale.
Në bordin e Air Force One, Trump raportohet se ka folur me gazetarët që e shoqërojnë dhe ka përgëzuar Izraelin për tërheqje nga goditjet e mëtejshme ndaj Iranit.
Ai gjithashtu u ka thënë gazetarëve se pret të zhvillojë një bisedë me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në kuadër të samitit.
Ky është samiti i parë i NATO-s për Presidentin amerikan që nga viti 2019./Reporteri.net
Shefi i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Atomike (IAEA) Rafael Grossi ka thënë se mirëpret njoftimet e së martës për situatën në Iran.
“Rikthimi i bashkëpunimit me agjencinë është kyç për marrëveshje të suksesshme diplomatike për të zgjidhur mospajtimin për aktivitetet bërthamore të Iranit”, ka thënë Grossi.
Ai ka thënë se i ka shkruar ministrit të Jashtëm iranian për t’ia rikujtuar rëndësinë e punës së përbashkët dhe i ka propozuar një takim.
Inspektorët e agjencisë kanë mbetur në Iran përgjatë konfliktit dhe janë të gatshëm të nisin punën sa më shpejt që është e mundur, ka thënë organizata përmes një deklarate.
“Përgjatë këtyre sulmeve, ne kemi parë dëm të konsiderueshëm në disa qendra bërthamore në Iran, përfshirë objekte për pasurim të uraniumit”.
“Ne besojmë se ka pasur radioaktivitet të lokalizuar si dhe rrjedhje kimike brenda objekteve të goditura ku ka pasur material bërthamor – kryesisht uranium të pasuruar në grada të ndryshme – por që ende nuk ka raportime për rritje të nivelit të rrezatimit jashtë objektit”, ka thënë Grossi.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka bërë një tjetër postim në rrjetin e tij social Truth Social, rreth marrëveshjes së armëpushimit midis Izraelit dhe Iranit.
Trump ka thënë se të dyja vendet dëshironin që t’i jepnin fund luftës, teksa shtoi se ka qenë nder i madh për të që të shkatërronte objektet dhe kapacitetet bërthamore të Iranit, dhe pastaj ta ndalonte luftën, shkruan Reporteri.net.
“Si Izraeli, ashtu edhe Irani dëshiruan t’i jepnin fund luftës, në mënyrë të barabartë”, ka thënë ai. Ishte një nder i madh për mua të shkatërroja të gjitha objektet dhe kapacitetet bërthamore, dhe pastaj, TA NDALJA LUFTËN!”, ka shkruar Trump./Reporteri.net
Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, ka deklaruar se vendi i tij do të respektojë armëpushimin e shpallur nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, për aq kohë sa edhe Izraeli t’u përmbahet kushteve të tij. Lajmi raportohet nga Agjencia Shtetërore e Lajmeve të Republikës Islamike (IRNA).
Gjatë një bisede telefonike me kryeministrin e Malajzisë, Anwar Ibrahim, Pezeshkian u shpreh se “nëse Izraeli nuk e shkel armëpushimin, as Irani nuk do ta shkelë atë”.
“Populli iranian ka treguar edhe një herë se, pavarësisht disa problemeve dhe ankesave, do të qëndrojë i bashkuar kundër pushtimit të armikut deri në fund,” deklaroi presidenti iranian.
Kryeministri Sir Keir Starmer thotë se armëpushimi midis Iranit dhe Izraelit “duhet të respektohet”.
“Ky është një mundësi për të siguruar stabilitetin e shumëpritur në Lindjen e Mesme. Iranit nuk duhet t’i lejohet kurrë të zhvillojë një armë bërthamore dhe tani duhet të kthehet në tryezën e bisedimeve dhe të punojë drejt një zgjidhjeje të qëndrueshme”, thotë ai në një postim në X.
“Ky është mesazhi që po diskutoj me udhëheqës të tjerë në NATO sot”, shton Starmer, duke iu referuar samitit të NATO-s që po zhvillohet në Holandë.
Më herët gjatë ditës, Starmer tha se foli me emirin e Katarit në lidhje me sulmin iranian ndaj bazës amerikane.
Presidenti i ShBA-së, Donald Trump në Truth Social ka publikuar mesazhin e marrë nga shefi i NATO-së, Mark Rutte, i cili e përgëzon presidentin për marrjen e “veprimit vendimtar” në Iran, përcjell Reporteri.net.
“Z. President, i dashur Donald, urime dhe faleminderit për veprimin tuaj vendimtar në Iran – ishte vërtet jashtëzakonshëm dhe diçka që askush tjetër nuk guxoi ta bënte. Na bëre të gjithëve më të sigurt” shkruante Rutte në mesazh.
Nuk specifikohet qartë se për cilin veprim të presidentit amerikan po i referohet Rutte. Gjatë fundjavës, Trump urdhëroi një sulm ndaj objekteve bërthamore iraniane, dhe në 24 orët e fundit ka ushtruar presion ndaj Izraelit dhe Iranit për të arritur një armëpushim.
Mesazhi vazhdon të lavdërojë Trump për presionin që i ka bërë vendeve të tjera anëtare të NATO-s për të shpenzuar më shumë për mbrojtjen.
Trump është rrugës për në një samit të NATO-s në Holandë, ku do të takohet me Rutte dhe liderë të tjerë të bllokut të sigurisë me 32 vende anëtare.
/Reporteri.net/
Të paktën 606 persona janë vrarë në Iran që nga fillimi i sulmit të Izraelit më 13 qershor, përfshirë 107 vetëm të hënën, sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë së Iranit gjatë një takimi emergjent në Teheran të martën.
Ministria bëri të ditur se 95% e viktimave kanë ndërruar jetë në vendin e sulmit, ndërsa e hëna u cilësua si dita më vdekjeprurëse e konfliktit.
/Reporteri.net/
Presidenti i ShBA-së, Donald Trump ka folur me gazetarët në bord të Air Force One, gjatë udhëtimit për në samitin e NATO-s në Holandë, përcjell Reporteri.net.
I pyetur nëse dëshiron ndryshim regjimi në Iran, presidenti tha: “Jo. Nëse do të kishte ndodhur, do të kishte ndodhur, por jo, unë nuk e dua atë. Do doja të shihja që gjithçka të qetësohej sa më shpejt.”
Ai shtoi: “Ndryshimi i regjimit sjell kaos, dhe në mënyrë ideale ne nuk duam të shohim kaq shumë kaos.”
/Reporteri.net/
Pavarësisht konflikteve të vazhdueshme në Lindjen e Mesme, tregjet financiare ndërkombëtare po reagojnë jashtë pritshmërive, duke ardhur në rritje.
Çmimi i naftës Brent ka rënë me 7%, duke u stabilizuar në 71 dollarë për fuçi, ndërsa edhe çmimi i gazit në Evropë ka shënuar rënie të lehtë prej 0.7%. Ari, shpesh konsideruar si strehë e sigurt në kohë krizash, ka mbetur i qëndrueshëm, ndërkohë që obligacionet qeveritare në SHBA, Britani dhe eurozonë po regjistrojnë rendimente më të ulëta, duke reflektuar njëfarë lehtësimi, raporton Corriere della Serra.
Kjo ndodh në një moment kur Shtetet e Bashkuara janë përfshirë drejtpërdrejt në një konflikt me dy superfuqi të Lindjes së Mesme, ndërsa 408 kilogramë uranium i pasuruar janë zhdukur dhe mund të përdoren për ndërtimin e disa bombave të rrezikshme. Në sfond, Donald Trump ka rritur detyrimet financiare të SHBA në nivelet më të larta që nga viti 1940, dhe negociatat tregtare me fuqitë e tjera ekonomike globale po zhvillohen në heshtje.
Pse nuk frikësohen tregjet?
Një arsye kryesore është reagimi i kontrolluar i Iranit. Pasi bombarduesit amerikanë B-2 goditën objektet bërthamore iraniane, shumë analistë prisnin një hakmarrje të ashpër. Por Teherani reagoi simbolikisht, njësoj si pas vrasjes së gjeneralit Soleimani në vitin 2020, duke lëshuar raketa në baza amerikane pa shkaktuar dëme të mëdha. Kjo shmangu përshkallëzimin e mëtejshëm dhe nuk u mor asnjë hap për të bllokuar Ngushticën e Hormuzit.
Aleatë në treg: Teknologjia dhe lufta
Siç raporton Corriere della Sera, investitorët kishin parashikuar këtë skenar dhe nuk u kapën në befasi. Ata jo vetëm që shmangën panikun, por po përfitojnë nga teknologjia. Kompanitë si Nvidia, gjiganti i gjysmëpërçuesve dhe inteligjencës artificiale, kanë shënuar rritje marramendëse prej 44% që nga prilli, duke shtuar rreth 1,500 miliardë dollarë në kapitalizim.
Investitorët dhe dëshira për luftë
Një tjetër faktor që po e mban Wall Street në vlera pozitive është shtytja për prodhim ushtarak, pasi historikisht, tregjet kanë përjetuar rritje edhe gjatë konflikteve të mëdha: gjatë Luftës së Dytë Botërore, Wall Street u rrit me 76% ndërsa trupat amerikane ishin në Evropë.
Sot, investitorët po qëndrojnë të pozicionuar: do të reagojnë nëse kriza thellohet, por nuk do të ndëshkojnë tregjet paraprakisht. Për më tepër, elita politike iraniane është e paqëndrueshme dhe e ndarë mes krahut që kërkon kompromis dhe elementëve radikalë, çka e bën çdo parashikim shumë të pasigurt.
Rritja e bursave, ulja e frikës?
Indeksi S&P 500 është vetëm 2% poshtë rekordit historik, pasi ka rikuperuar 20% që nga prilli. Në Evropë, bursat mbeten pranë niveleve më të larta, edhe pse me lëkundje të lehta. Për shembull, indeksi FTSE-MIB në Milano u mbyll me një rënie modeste prej 1%, vetëm një ditë pas sulmeve të SHBA ndaj Iranit.
Presidenti Donald Trump foli të martën në mëngjes me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe ishte “jashtëzakonisht i vendosur dhe i drejtpërdrejtë”, tha një burim nga Shtëpia e Bardhë lidhur me atë që duhej bërë për të ruajtur armëpushimin, shkruan CNN, përcjell Reporteri.net.
Sipas këtij burimi, Netanyahu e kuptoi seriozitetin e situatës dhe shqetësimet e Trump-it.
Trump, i cili ishte entuziast mbrëmjen e kaluar kur shpalli armëpushimin mes Izraelit dhe Iranit, qëndroi zgjuar deri vonë për të ndjekur zhvillimet ndërsa marrëveshja pritej të hynte në fuqi.
Ai u bë gjithnjë e më i zemëruar kur besoi se të dyja vendet po shkelnin marrëveshjen, thanë disa burime për CNN — zemërim që u shfaq hapur teksa ai u nis për udhëtimin në samitin e NATO-s.
Për telefonatën, Netanyahu tha se Trump “shprehu mirënjohje të thellë për Izraelin” që kishte “arritur të gjitha objektivat e luftës”.
“Presidenti gjithashtu shprehu besimin e tij në stabilitetin e armëpushimit,” përfundon deklarata.
Presidenti amerikan, Donald Trump ka bërë një postim të ri në Truth Social duke këmbëngulur se “armëpushimi është në fuqi”.
“Izraeli nuk do të sulmojë Iranin. Të gjithë aeroplanët do të kthehen dhe do të kthehen në shtëpi, ndërsa i bëjnë një ‘përshëndetje miqësore aeroplani’ Iranit. Askush nuk do të lëndohet, armëpushimi është në fuqi! Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje!”, shkroi Trump.
Pak më parë, Trump akuzoi të dy vendet për shkelje të armëpushimit.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump deklaroi se si Irani, ashtu edhe Izraeli, e kanë shkelur armëpushimin që ai kishte shpallur, përcjell Reporteri.net.
“Nuk jam i sigurt nëse e bënë me qëllim,” tha presidenti.
“Nuk më pëlqen fakti që Izraeli ndërhyri këtë mëngjes fare. Dhe do të shoh nëse mund ta ndal këtë.”
Ai shtoi gjithashtu se Irani “kurrë nuk do të rindërtojë kapacitetet e tij bërthamore” dhe theksoi se “nuk është i kënaqur as me Iranin.”
/Reporteri.net/