×
  • Lajme
  • Botë

    Trump mbështet publikisht të emëruarin për postin e Sekretarit të Mbrojtes, Pete Hegseth

    Reporteri
    06 Dhjetor 2024 | 19:11

    Presidenti i zgjedhur Donald Trump mbështeti të premten publikisht të emëruarin e tij për postin e shefit të Pentagonit, Pete Hegseth, në një kohë kur miratimi i tij nga Senati është vënë në pikëpyetje, mes shqetësimeve lidhur me akuzat për sulm seksual, përdorimin e alkoolit dhe pikëpamjeve të tij për gratë ushtarake në frontin e luftës.

    “Pete Hegseth po ia del shumë mirë”, shkroi Trump në profilin e tij në rrjetin Truth Social. “Ai do të jetë një Sekretar Mbrojtjeje fantastik dhe me energji të lartë”. Presidenti i zgjedhur shtoi se “Pete është FITUES dhe nuk mund të bëhet asgjë për ta ndryshuar këtë”.

    Hegseth kaloi një pjesë të madhe të kësaj jave me takime në Kapitol, duke u përpjekur të sigurojë sentatorë republikanët se ai i ka afësitë e duhura për të udhëhequr Pentagonin, gjatë administratës së Presidentit Trump.

    Ai ka premtuar se nuk do të konsumojë alkool në rast se merr detyrën dhe u ka thënë ligjvënësve se nuk ka kryer sulm seksual, ndërsa pikëpamjet e tij profesionale mbi forcat ushtarake gra, po shihen me shumë vëmendje. Ai u shpreh gjatë muajit të shkuar se gratë nuk duhet të shërbejnë në vijën e frontit.

    Presidenti i zgjedhur Trump ka hasur rezistencë për disa nga të emëruarit e tij. Dy të zgjedhur prej tij për poste në administratën e ardhshme u tërhoqën nga emërimi pasi u përballën me kundërshtime të forta: Matt Gaetz, ish anëtari i Kongresit, i emëruar si Prokuror i Përgjithshëm dhe Chad Chronister, sherif i qarkut Hillsborough në Florida, i emëruar si drejtor i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Luftën Kundër Drogës (DEA).

    Ekipi i tranzicionit i Presidentit të zgjedhur Trump po shqyrton kandidatura të tjera të mundshme në rast se emërimi i Hegseth dështon, mes së cilëve guvernatori i Floridës, Ron De Santis, i cili kandidoi kundër Trump në zgjedhjet paraprake brenda Partisë Republikane./VOA

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!