Presidenti i ShBA\së, Donald Trump, pas telefonatës dy-orëshe me Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, ka dekalruar se “Rusia dhe Ukraina do të fillojnë menjëherë negociatat drejt një armëpushimi dhe, më e rëndësishmja, drejt një fundi të luftës”, raporton CNN.
“Kushtet për këtë do të negociohen mes dy palëve, ashtu siç duhet të jetë, sepse ato dinë detaje të një negociate që askush tjetër nuk do t’i dinte,” tha Trump në Truth Social, duke shtuar se “toni dhe fryma e bisedës ishin të shkëlqyera.”
“Rusia dëshiron të zhvillojë TREGTI në shkallë të gjerë me Shtetet e Bashkuara kur kjo ‘gjakderdhje’ katastrofike të përfundojë, dhe unë jam dakord. Ka një mundësi të jashtëzakonshme për Rusinë që të krijojë sasi të mëdha të vendeve të punës dhe pasurie. Potenciali i saj është i pakufizuar,” vijoi Trump. Ai tha gjithashtu se Ukraina “mund të përfitojë shumë nga Tregtia.”
Trump tha se menjëherë pas përfundimit të telefonatës informoi këta liderë për përmbajtjen e saj: Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy, Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, Presidentin francez Emmanuel Macron, Kryeministren italiane Giorgia Meloni, Kancelarin gjerman Friedrich Merz dhe Presidentin finlandez Alexander Stubb.