×
  • Lajme
  • Botë

    Trumpi: Ushtria amerikane s’e ka detyrë të ndalë luftërat e pafundme në vendet e largëta

    Reporteri
    13 Qershor 2020 | 23:22

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, pas kritikave për planet që të tërheqë trupat e Ushtrisë Amerikane nga Gjermania, u ka thënë të diplomuarve të Akademisë Ushtarake në SHBA në “West Point” të shtunën, se puna e tyre është të mbrojnë “interesat vitale të SHBA-së” dhe jo të ndalin “luftërat e pafundme” në tokat e largëta.


    Në një deklarim para të diplomuarve në Akademinë Ushtarake, Trumpi u ka thënë kadetëve se puna e një ushtari amerikan nuk është të rindërtojë kombe të huaja, por “të mbrojë, dhe të mbrojë fuqishëm, kombin tonë nga armiqtë”.

    “Ne po i japim fund epokës së luftërave të pafundme”, ka thënë Trumpi. “Nuk është puna e forcave amerikane të zgjidhin konfliktet e lashta në tokat e largëta për të cilat shumica e njerëzve as që kanë dëgjuar”.

    Si president, Trumpi ka tërhequr trupat amerikane nga Siria dhe ka kërkuar nga aleatët tjerë që të paguajnë më shumë për angazhimin e forcave amerikane që t’i mbrojë. Në një kritikë të rrallë nga partia e tij, 22 Republikanë nga Komisioni për Shërbimet Ushtarake në Dhomën e Përfaqësuesve i kanë shkruar Trumpit se largimi i trupave nga Gjermania do të dëmtonte sigurinë kombëtare dhe mund të nxisë agresionin e Rusisë.

    Në mesin e mijëra kadetëve që diplomuan, në këtë akademi pati për herë të parë edhe kadetë nga Kosova. Arelena Shala e Yll Dalladaku u bënë kosovarët e parë që diplomuan në akademinë prestigjioze.

    Pak ditë më parë, Trumpi përmes raportit për vendosjen e forcave të SHBA-së në vendet e tjera, i kishte thënë Dhomës së Përfaqësuesve se rreth 640 ushtarë amerikanë do të mbesin në kuadër të KFOR-it në Kosovë. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!