×
  • Lajme
  • Botë

    Turqia bllokon llogarinë në X të kryetarit të burgosur të Stambollit, Imamoglu

    Reporteri
    08 Maj 2025 | 8:42

    Qasja në llogarinë e kryebashkiakut të burgosur të Stambollit, Ekrem Imamoglu, në rrjetin social X në Turqi, është bllokuar pas një kërkese ligjore, sipas një njoftimi në llogarinë e tij në këtë platformë, të enjten.

    Policia e arrestoi Imamoglun – i cili është rivali kryesor i presidentit Tayyip Erdogan – më 19 mars, duke nxitur protestat më të mëdha në Turqi në dekadën e fundit.

    Ai u burgos katër ditë më vonë në pritje të gjykimit për akuza për korrupsion, të cilat ai i mohon.

    Partitë opozitare e kanë quajtur arrestimin e tij të politizuar dhe antidemokratik.

    Llogaria e Imamoglut në X i ka gati 10 milionë ndjekës.

    Avokati i njohur turk, Gonenc Gurkaynak, tha në X se, me kërkesë të platformës X, do ta bëjë një ankesë ndaj vendimit gjyqësor për bllokimin e qasjes në llogarinë e kryebashkiakut.

    Ende nuk janë bërë të ditura hollësitë e vendimit për bllokimin e qasjes në llogarinë e tij në Turqi.

    Ndërkohë, sondazhet tregojnë se mbështetja popullore për Imamoglun është rritur edhe më shumë që nga arrestimi i tij, duke forcuar bindjen se ai do të jetë rivali kryesor i Erdoganit në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, të cilat janë planifikuar për vitin 2028./REL

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!