Turqia të hënën ka dhënë urdhër për arrestimin e 149 personave, kryesisht pjesëtarë dhe ish-pjesëtarë të forcave të sigurisë, për shkak të dyshimeve për lidhje me rrjetin për të cilin Ankaraja thotë se e ka organizuar puçin e dështuar të vitit 2016.
Zyra e prokurorit në provincën perëndimore Balikesir e urdhëroi arrestimin e 74 personave. Të gjithë ishin shkarkuar më parë nga forcat e sigurisë. Në këtë listë u përfshinë edhe gjashtë ish-komandantë policie.
Prokurorët në provincën Gaziantep e urdhëruan arrestimin e 33 personave, përfshirë 24 zyrtarë në detyrë në sektorin e sigurisë.
Në provincën Bursa, prokurorët dhanë urdhër për arrestimin e 42 personave, përfshirë gjashtë ushtarë që tash për tash janë në detyrë, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.
Autoritetet turke kanë ushtruar shtypje të vazhdueshme ndaj përkrahësve të dyshuar të klerikut Fetullah Gylen që nga puçi i dështuar i korrikut të vitit 2016, kur 250 njerëz ishin vrarë.
Presidenti turk, Rexhep Erdogan, për një kohë të gjatë i ka akuzuar përkrahësit e Gylenit se e kanë themeluar një shtet paralel përmes infiltrimit të policisë, organeve të drejtësisë, ushtrisë dhe të institucioneve të tjera shtetërore.
Që nga përpjekja për puç, rreth 80,000 persona janë ndaluar dhe përafërsisht 150,000 shërbyes civilë, anëtarë të personelit të ushtrisë dhe punëtorë të tjerë janë shkarkuar.