×
  • Lajme
  • Botë

    U detyrua të braktiste shkollën dhe të martohej, 14-vjeçarja vdes gjatë lindjes

    Reporteri
    08 Gusht 2021 | 21:48

    Policia në Zimbabve po heton vdekjen e një vajze 14-vjeçare gjatë lindjes, një rast që ngjalli zemërim mes qytetarëve dhe aktivistëve të të drejtave.


    Memory Machaya raportohet të ketë vdekur muajin e kaluar në një faltore të kishës në rajonin lindor të Marange.

    Rasti ka ekspozuar shfrytëzimin e të miturve, pasi thuhet se ajo u detyrua të braktisë shkollën për t’u martuar.

    Kombet e Bashkuara i bënë thirrje qeverisë të njohë martesën e fëmijëve si krim dhe t’i japë fund praktikës.

    “Trendi aktual i rasteve të pazgjidhura të dhunës kundër grave dhe vajzave në Zimbabve, përfshirë martesat e të miturve, nuk mund të vazhdojë pa u ndëshkuar,” tha OKB në një deklaratë.

    Vdekja e vajzës më 15 korrik ka vënë në qendër të vëmendjes praktikën e martesës së fëmijëve brenda Kishës Apostolike në Zimbabve, e cila shpesh refuzon mjekimin dhe trajtimin në spital.

    Familja e saj ka thënë se foshnja i mbijetoi lindjes dhe ishte mirë, raportojnë mediet lokale.

    Rrethanat që çuan në vdekjen e 14-vjeçares janë nën hetim nga policia dhe komisioni gjinor shtetëror i vendit.

    Një peticion online që bën thirrje për “drejtësi për Memory Machaya” deri më tani ka marrë më shumë se 57,000 nënshkrime, shkruan BBC.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!