Gaziantepi, qyteti më i madh turk në kufi me Sirinë, ka shumë elemente të dukshme nga shteti fqinj, pasi që qindra-mijëra njerëz kaluan aty duke ikur nga lufta e përgjakshme. Pikat kufitare të Turqisë, qoftë tokësore, apo në Aeroport kanë ndër sigurinë më të madhe, për shkak të një sërë sulmesh. Për të hyrë në Siri, duhen tri ndalesa nga pjesa turke duke treguar akreditimin medial, por në pjesën siriane kalimi është çështje sekondash. Një person i armatosur qëndron tek pika kufitare, dhe me një përshëndetje nga vetura hyhet pa problem brenda territorit sirian.
Është territor i dërmuar nga lufta, dhe kilometrat e parë brenda tregojnë varfëri dhe mjerim më së shumti. Në rreth-rrotullime – flamuri gjigant i Sirisë – me një yll më shumë, si shenjë se revolucioni i nisur në vitin 2011, më në fund ka marrë epilog.
Gjatë rrugës së gjatë deri në Damask, edhe të tjera kontrolle në rrugë, disa me një apo dy persona që verifikojnë, të tjera si punkte të organizuara. Ata që ndalin e pyesin, shpesh nuk bartin uniforma, por të gjithë janë të armatosur me nga një kallashnikov. Në dalje të Idlibt, kudo shenja të luftimeve, ndërtesa të shkatërruara, më së shumti nga sulmet ajrore ruse e iraniane.
Dy qytetet më të mëdha në rrugën e gjatë deri në kryeqytet janë Hama dhe Homs, edhe këto vatra luftimesh të ashpëra për kontroll me forcat e regjimit të Assadit. Kur bëhet terr, mes tyre, në një rrugë – të shtëna të zhurmshme armësh. Edhe pse në mes të rrugës, dhe të rrezikshme e të përsëritshme, kanë një arsye të fortë: një grumbull njerëzish po festojnë kthimin e një familje refugjatësh nga Turqia në Siri.
Kryeqyteti në qendër të tij, duket si një metropol normal i rajonit. Në afërsi të Bankës Qendrore shihen shumë njerëz duke mbajtur në duar shuma të mëdha bankontash. Monedha zyrtare e Sirisë – Paundi Sirian, ka parë ringjallje pas çlirimit. 1 Euro tani barazohet me 13.000 (trembëdhjetë mijë) Paund Sirianë, një dallim i madh i fillimit të dhjetorit, kur 1 Euro barazohej më shumën e 30.000 (tridhjetë mijë) paundëve sirianë.
Ka disa javë që nga Idlibi, në veriperëndim të Sirisë, ku janë të vendosur, Ebu Katada Albani dhe njësiti i tij kanë zbritur në Damas, thellë drejt jugut. Burri në të 50-at quhet Abdyl Jashari, dhe ka lindur në kryeqytetin e Maqedonisë Veriore, Shkup. Prejardhja e tij është nga Kosova, prej nga janë edhe shumica e pjesëtarëve shqiptarë të batalionit të tij. Të rinj që kanë shkuar për të luftuar në Siri para 12 vjetësh, dhe kanë krijuar një jetë të re atje. Në një apartament të madh në një lagje qendrore të Damaskut, Ebu Katada Albani flet qetë e ngadalë, por sigurtë. “A i kemi rënë pishman? Jo, aspak. Është detyre morale dhe fetare. Jemi të obliguar nga Allahu që të ndihmojmë kudo që kërkohet”, thotë ai. Disa prej pjesëtarëve shqiptarë që kanë luftuar me organizatën, që dikur quhej Al Nusra, janë vrarë në beteja.
Tani që Siria është çliruar dhe grupi HTS e kontrollon pothuajshe gjithë territorin, për Ebu Katadan e njësitin e tij shqiptar është nje periudhë e re e krejt ndryshe. Ai është njëri nga 5 luftëtarë të huaj, që me dekret të presidentit të ri, Ahmad Al Shaara është graduar në kolonel. Teksa udhëheqja e re po punon për të ndërtuar institcione, Jashari ka disa prioritete që i lidhë me kombësinë e tij: njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Siria, dhe pozicionin e shqiptarëve, që kanë shkuar në vendin e Lindjes së Mesme ka një shekull.
“Fatmirësisht dhe fatkeqësisht ka një kërkesë. Një hap, një kërkesë për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Qeverisë së Sirisë. Por, ajo fatkeqësia është që kjo kërkesë nuk ka ardhë në nivelin e duhur, për shkak se ka ardhë në nivelin e një zëvendësministri të qeverisë lokale, me sa më kujtohet. Por, kjo kërkesë duhet normalisht të jetë në nivel të kryetarit të shtetit, të kryeministrit, ose më së paku në nivelin e Ministrisë së Punëve të Jashtme”, thotë ai, duke pohuar se në plan afatgjatë nuk do të duhej të paraqitej ndonjë pengesë serioze për njohjen e ndërsjellë.
Në letrën që e citon Jashari, Qeveria e Kosovës thotë se njeh kontributin e indvidëve shqiptarë, duke përfshirë ata nga Kosova, për çlirimin e Sirisë. Kjo do të shkonte në kundërshtim me Ligjin në fuqi që ndalon dhe dënon të gjithë ata që marrin pjesë në luftërat e huaja. Por, Jashari që është në “listën e zezë” të SHBA-së beson se sikurse që shtete të tjera të botës, kanë ndryshuar qëndrimin ndaj organizatës që tash drejton Sirinë, njëjtë do ta bëjnë edhe Kosova, Shqipëria e Maqedonia. Për shqiptarët e moçëm atje, Jashari thotë se nuk është interesuar askush, prandaj ai po i takon e punon me ta, për të kirjuar një bashkësi, që do të mbante gjallë gjuhën dhe lidhjet me shtetet e prejardhjes në Ballkan.
Jashari ka luftuar me të dyja UÇK-të, në Kosovë e në Maqedoni.
Një xhami në perfieri të Damaskut, quhet e shqiptarëve. Jo pse është vetëm e tyre, por imami që i thërret besimtarët në lutje është shqiptar i Kosovës. Është 75 vjeç dhe ka 25 vjet që nuk vjen në Kosovë.
“Pa guhë, qysh don me thanë që je shqiptar”, thotë Abdylkadiri ulur në mesin e një grupi më të madh të shqiptarëve që kanë ardhur për të folur, si ndoshta asnjëherë më parë, me një gazetar nga Kosova. Jo të gjithë flasin shqip, por të gjithë duan të tregojnë lidhjet e forta që i mbajnë me vendet e të parëve. Mes tyre, Ferid Bajraktari.
“Jam nga Klina e Skënderajt”, thotë ai me krenari. “Gjyshja jem është nga katuni Bakshia. Unë jam rritë me gjyshen tem, kena fol shqip. Krejt folim shqip”, thotë ai me buzëqeshjen që i rrezaton në fytyrë. Bajraktari nuk ka qenë në Kosovë tani e 40 vjet, me herën e fundit që vinte në vitin 1985 për Seminarin e Gjuhës Shqipe. Të njëjtën planifikon ta bëjë këtë verë, për arsyen e njëjtë, dhe për të parë e takuar familjarët e tij, në Skenderaj, Prishtinë e Ferizaj.
Një tjetër shqiptar thotë se po flet shqip për herë të parë pas 50 vjetësh. Funeralet janë rasti pothuasje i vetëm që i bën bashkë këtu, me ngushëllimet për të vdekurit.
Komuniteti këtu nuk ka një shoqatë, që do t’u mundësonte tubimin, ruajtjen e gjuhës e ruajtjen e lidhjeve me shtetet shqiptare në Ballkan. “Na shqiptarë jem. Unë du me parë mirë Kosovën, me përparu”, thotë Bajraktari, me shpresën që largimi nga pushtetit i Assadit, do të mundësojë njohjen nga Siria dhe lidhjen më të fortë mes dy shteteve.
Ky udhëpërshkrim nga Siria është përgatitur ekskluzivisht për gazetën online Reporteri.net. Rishpërndarja e këtij materiali nuk mund të bëhet pa aprovimin paraprak nga mediumi.