×
  • Lajme
  • Botë

    ‘Unë jam Stalinist’, zbulohen detajet e rekrutimit të spiunëve në Bullgari nga rusët

    Reporteri
    21 Mars 2021 | 13:45

    Zyra e Prokurorit në Bullgari ka zbuluar detaje pas arrestimit e gjashtë shtetasve të rangut të lartë nën akuzat për spiunazh për Shërbimin Ushtarak rus të Inteligjencës.


    Midis të arrestuarve ishin dy oficerë të forcave të armatosura, si dhe një ish-oficer i kundërzbulimit ushtarak të vendit. Ky i fundit akuzohet për rekrutimin dhe zgjerimin e një rrjeti agjentësh për inteligjencën ruse.

    Akuza bazohet në një mision të përgjuar të mbledhjes së të dhënave.

    Sipas Prokurorisë, ish-oficeri i kundërzbulimit ushtarak bullgar fillimisht kishte bërë thirrje ideologjike.

    “Unë nuk jam thjesht një person pro-sovjetik, por një pro-Stalinist! Nuk është turp”, kishte thënë ish-oficeri, pas së cilës biseda kishte vazhduar për pagesën mujore në këmbim të ofrimit të sekreteve.

    Sipas medieve ruse, detyrat e vendosura nga Shërbimi Ushtarak rus i Inteligjencës (GRU) përfshinin bërjen e Screenshot-ve të kompjuterëve në Ministrinë bullgare e Mbrojtjes, të cilat përmbajnë të dhëna konfidenciale.

    Moska ishte veçanërisht e interesuar për tema që lidhen me Sirinë, Ukrainën dhe Nagorni-Karabakun.

    Po ashtu, detyrat përfshinin të dhëna për takimet e NATO-s, politikat e Bashkimit Evropian ndaj Rusisë, Ukrainës dhe Bjellorusisë, si dhe kontaktet e jashtme të Bullgarisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britaninë e Madhe, Gjermaninë dhe CIA-në.

    Prokuroria tha se gjatë arrestimit, njëri nga të dyshuarit u përpoq të fshihej, si rezultat i të cilit u krye një operacion për kërkimin dhe ndalimin e tij.

    Një nga të arrestuarat është gruaja e udhëheqësit të grupit. Ajo është një shtetase ruse dhe mbante marrëdhënie me stafin e misionit diplomatik rus në Sofje.

    Ndryshe, Agjencia Shtetërore për Siguri Kombëtare e Bullgarisë (SANS) në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, kanë kryer operacionin në shkallën më të gjerë për arrestimin e spiunëve rusë në Bullgari, që pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

    Lidhur me këtë aksion, kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov i bëri thirrje Rusisë të ndalë fushatës e spiunimit ndaj vendit të tij.

    Nën akuzat e spiunimit, që nga tetori i vitit 2019, Bullgaria ka dëbuar pesë diplomatë dhe punonjës të Ambasadës Ruse.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!