Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë nisur hetime për universitetet Harvard dhe Yale, pas dyshimeve për pranim të fondeve të padeklaruara nga shtetet e huaja, përfshirë Arabinë Saudite dhe Kinën.
Departamenti amerikan për edukim ka thënë se këto institucione nuk kanë raportuar në hollësi qindra miliona dollarë të marra si dhurata të huaja.
Këto dy institucione në anën tjetër i kanë thënë BBC-së se janë duke përgatitur përgjigje për qeverinë, transmeton Reporteri.net.
Sipas ligjit amerikan, universiteteve u kërkohet të raportojnë të gjitha dhuratat e marra ntga burime të huaja të cilat tejkalojnë shumën e 250 mijë dollarëve.
Prej muajit korrik të vitit të kaluar, Departamenti i Edukimit ka thënë se ka zbuluar dhurata të pranuara në vlerë të 6.6 miliardë dollarëve nga disa shtete, përfshirë Katarin, Kinën, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Zyrtarët më parë kanë përshkruar shpenzimin e fondeve të huaja në universitete amerikan si “vrimë e zezë”.
“Kjo ka të bëjë me transparencën. Nëse kolegjet dhe universitetet janë duke pranuar para dhe dhurata nga jashtë, studentët, donatorët dhe taksapaguesit meritojnë të kuptojnë çfarë vlere kanë dhe na kush vijnë”, ka thënë sekretarja amerikane për edukim, Betsy DeVos.
“Fatkeqsisht sa më shumë thellohemi, aq më shumë e kuptojmë se shumë mjete nuk janë raportuar mirë ose nuk janë raportuar fare”, ka shtuar më tej ajo./Reporteri/