×
  • Lajme
  • Botë

    Ushtria ukrainase thotë se sulmoi mbrojtjen ajrore ruse në Krime

    Reporteri
    14 Shtator 2023 | 20:12

    Ushtria ukrainase ka thënë se i ka sulmuar përgjatë natës sistemet ruse për mbrojtje ajrore në qytezën Jevpatoria në pjesën perëndimore të Krimesë.

    Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë përmes një deklarate se sistemet e saj ajrore i kanë rrëzuar 11 dronë përgjatë natës mbi Krime – gadishull ukrainas të cilin e ka aneksuar Moska më 2014.

    Autoritetet ruse nuk kanë raportuar për ndonjë dëm.

    Një video që ka qarkulluar në rrjetet sociale e ka shfaqur shpërthimin dhe tymin përgjatë natës në zonën e sulmuar.

    Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur ta verifikojë vërtetësinë e incizimit.

    Një burim ukrainas i inteligjencës ka thënë për agjencinë e lajmeve Reuters se si pasojë e sulmit është shkatërruar sistemi ajror “Triumf”.

    Sipas këtij burimi, fillimisht dronët e kanë sulmuar radarin dhe antenën ruse, dhe më pas dy raketa ukrainase Neptune i kanë goditur lansueset e sistemit rus.

    Për këtë sulm raportohet një ditë pasi Ukraina ka nisur sulme me raketa në portin e Sevastopolit, në Krime, zonë në të cilën gjendet flota e marinës ruse në Detin e Zi.

    Ky sulm për disa është parë si shenjë se Ukraina është duke i rritur kapacitetet e saj të sulmeve me raketa.

    Ushtritë e dy vendeve janë në luftë qe 18 muaj, përkatësisht prej 24 shkurtit të vitit 2022.

    Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

    Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

    Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!