×
  • Lajme
  • Botë

    Valë e re protestash kundër certifikatës së vaksinave në Francë: Po na privohen të drejtat themelore

    Reporteri
    30 Korrik 2021 | 20:42

    Ndonëse protestat e javës së kaluar kundër planeve të qeverisë franceze për të imponuar pasjen e një certifikate vaksinimi, ose testi negativ të COVID në mënyrë që dikush të ketë akses në evente publike, nuk ia arritën qëllimit, sërish një valë e re protestash është përhapur në qytetet më të mëdha të Francës.


    Sipas “Liberte” 160 mijë njerëz në total kanë zbritur në rrugët e Parisit dhe Marsejës, me thirrje kryesisht kundër Macron dhe me pankarta ku kërkohej rikthimi “i të drejtave të njeriut”.

    “Kjo është diktaturë! A nuk ka lexuar Macron se çfarë shkruhet në monedhat e këtij vendi? Shkruhet LIRI-BARAZI-VELLAZËRI, ç’u bë me lirinë?”- ka thënë Robert Farina një sipërmarrës i vogël që kishte dalë për të protestuar në portin e Marsejës. Farina, i cili është pronar i një lokali në qytet tha se ai nuk do të skanojë testet e COVID apo certifikatat për klientët që do të duan të frekuentojnë lokalin e tij.

    “Me thonë duhet ta bëj ose do të gjobitem me 9000 euro. Ata do të na sulen me qentë e policisë, me forcat speciale. Si do e menaxhoj lokalin në këto kushte?”- ka shtuar ai për POLITICO.

    Aktualisht numri i të infektuarve është duke u shtuar çdo ditë, me mesatarisht 19 mijë infektime të reja, shumica dërrmuese e të cilave me variantin “delta”. Ndërkohë, vetëm 57% e popullsisë kanë marrë më së paku një dozë të vaksinës anti-COVID.

    Sipas sondazheve të opinionit publik, ndonëse në rrugë ka shumë protesta dhe pakënaqësi, një shumicë e francezëve (62%) mbështesin planet e qeverisë për certifikatë me detyrim dhe 70% planet për vaksinimin e detyrueshëm për punonjësit e sektorit shëndetësor.

    Zonat më skeptike janë ato rurale dhe në periferi të qyteteve. Qeveria ka nisur një fushatë për të dërguar vullnetarë në këto zona me qëllim shtimin e ritmit të vaksinimeve.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!