×
  • Lajme
  • Botë

    Valë e të nxehtit në Evropë, disa shtete lëshojnë paralajmërime për qytetarët

    Reporteri
    29 Qershor 2025 | 22:02

    Një valë e të nxehtit vazhdon të përfshijë pjesë të mëdha të Evropës, derisa autoritetet në shumë vende kanë lëshuar paralajmërime shëndetësore për shkak të temperaturave përvëluese.

    BBC-ja ka raportuar se Spanja Jugore është rajoni më i prekur, me temperatura rreth 40 gradë celsius të, regjistruara në Sevilje dhe zonat fqinje.

    Një rekord i ri nxehtësie për qershorin prej 46 gradësh u shënua të shtunën në qytetin e El Granados, sipas Shërbimit Kombëtar Meteorologjik të Spanjës, i cili tha gjithashtu se ky muaj pritet të jetë qershori më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë.

    Paralajmërimet për vapë janë në fuqi në pjesë të Portugalisë, Italisë dhe Kroacisë, me paralajmërime të shumta të kuqe që mbulojnë zona të Spanjës, Francës, Austrisë, Belgjikës, Bosnjës dhe Hercegovinës, Hungarisë, Serbisë, Sllovenisë dhe Zvicrës.

    Në Barcelonë, një grua vdiq pasi përfundoi një ndërrim pune si pastruese rrugësh të shtunën, kur temperaturat ishin shumë të larta. Autoritetet lokale po hetojnë vdekjen e saj.

    Në Itali, departamentet e urgjencës në tërë vendin kanë raportuar një rritje të rasteve të goditjes nga nxehtësia, duke i prekur kryesisht “të moshuarit, pacientët me kancer ose të pastrehët”, ka njoftuar Mario Guarino, nënkryetar i Shoqatës Italiane të Mjekësisë së Urgjencës.

    I nxehti i fortë ka prekur edhe vendet në të gjithë Ballkanin Perëndimor, ku temperaturat kanë arritur mbi 40 gradë Celsius.

    Serbia regjistroi temperaturën më të lartë ndonjëherë, qëkur filloi t’i regjistronte ato në shekullin e 19-të.

    Në Slloveni, temperatura më e lartë e qershorit u regjistrua të shtunën.

    Maqedonia e Veriut po përjeton gjithashtu vapë, pasi temperaturat arritën në 42 gradë Celsius të premten.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!