×
  • Lajme
  • Botë

    Vdes 6-vjeçari, hëngri kërpudha helmuese

    Reporteri
    04 Shtator 2021 | 9:03

    Fëmija i dytë i një familjeje refugjate afgane, e evakuuar nga Kabuli në Poloni, ka vdekur pas përdorimit të supës me kërpudha helmuese, të cilat familjarët, pa vetëdije për rrezikun, i kishim mbledhur në një pyll afër qendrës së karantinimit.


    Djali 6-vjeçar iu nënshtrua para disa ditëve një operacioni urgjent për transplantimin e mëlçisë, por mjekët nuk arritën që ta shpëtonin. Vëllai i tij 5-vjeçar vdiq të enjten në spitalin kryesor për fëmijë në Varshavë, ku të dy ishin duke u trajtuar.

    Motra 17-vjeçare e tyre u trajtua në spital dhe më pas u lirua në gjendje të mirë. Mjekët thanë se doza e helmit është më pak dëmtuese te të rriturit me masë më të madhe trupore, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

    Dyshohet se familja e përbërë nga dy të rritur e katër fëmijë përgatiti supë me kërpudha shumë helmuese, të cilat i gjetën në një pyll përreth qendrës ku po qëndronin, afër Varshavës, përderisa po mbaheshin në karantinë të detyrueshme.

    Prokurorët polakë janë duke e marrë në pyetje stafin e qendrës rreth ngjarjes si pjesë e një hetimi, i cili do të mund të çojë në akuza kriminale për neglizhencë dhe ekspozim të qëllimshëm të njerëzve ndaj një kërcënimi serioz për shëndetin ose jetën, tha Aleksandra Skrzyniarz, zëdhënëse e Zyrës së Prokurorit në Varshavë.

    Ministri i Brendshëm i Polonisë, Mariusz Kaminiski, tha këtë javë se helmimi i kësaj familjeje është tragjedi, por se nuk ka rezultuar nga ndonjë neglizhencë në qendrën e karantinimit.

    Autoritetet polake i kanë mohuar pretendimet e medieve se racionet e ushqimit në qendrën e karantinimit mund të kenë qenë të pamjaftueshme.

    Ndryshe, Polonia e evakuoi këtë familje nga Afganistani me kërkesën e Britanisë së Madhe, pasi talibanët e morën kontrollin edhe në kryeqytetin Kabul. Babai i djemve tashmë të ndjerë kishte punuar për forcat britanike.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!