×
  • Lajme
  • Botë

    Vdes në moshën 37 vjeçare sipërmarrësja që punësonte të varfërit

    Reporteri
    07 Shkurt 2020 | 18:32

    Vajza e dy emigrantëve indianë, Leila Janah e njohur si krijuesja e një rrjeti punësimi dixhital, ka ndërruar jetë në moshën 37-vjeçare. Ajo krijoi disa vende pune për mijëra të varfër në Afrikë e Indi, duke besuar se intelekti i të varfërve është “burimi më i madh i pashfrytëzuar” në botë.


    Ajo vdiq në Manhattan si pasojë e një kanceri të rrallë të indeve të buta. Lajmi është bërë i ditur nga “Samasource”, një nga kompanitë që drejtonte, transmeton gazeta online Reporteri.net.
    Janah udhëtoi drejt Mumbait, Indi, në vitin 2005 si një këshilltare menaxhimi. Duke udhëtuar nëpër qytet me “rickshaw”(mjet transporti në Indi, tip biçiklete e mbuluar, por që lejon shiun dhe erën të depërtojë brenda), ajo ndjeu lagështinë dhe ftohtësinë e vendit.

    Pasi u njoh me qytetin ajo gjeti një staf punonjësish të arsimuar të klasës së mesme. Shumë pak ose thuajse asnjë i varfër pranë zonës nuk ishte i punësuar. “A nuk munden njerëzit nga lagjet e varfëra të punësohen”, do të shprehej ajo në një intervistë të dhënë në vitin 2015.
    Leila e nisi projektin e saj në vitin 2008 në Kenya, Nairobi me krijimin e “Samasource” (sama do të thotë e barabartë në sanskritisht), me qëllim punësimin e barabartë të njerëzve të varfër. Një punë krejtësisht dixhitale që do t’u krijonte mundësinë të varfërve për t’u paguar me një rrogë të barabartë me punë të tjera.
    Punëtorët gjenerojnë të dhëna që përdoren për projekte të larmishme, si makinat autonome, teknologjia e lojërave si dhe programe që ndihmojnë punonjësit e parkut në Afrikën Nën-Sahariane të parandalojnë zhdukjen e elefantëve.
    Sipas statistikave, të paktën gjysma e njerëzve të punësuar nga Samasource janë gra. Punonjësit e Samasource kanë punuar me kompani si Microsoft, Google, Facebook, Walmart, Getty Images apo Vulcan Capital./Reporteri/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!