×
  • Lajme
  • Botë

    Vendimi i ri i Trumpit ndalon pjesërisht Lotarinë Amerikane

    Reporteri
    17 Maj 2019 | 11:29

    Presidenti i SHBA, Donald Trump, ka nënshkruar një urdhër të ri ekzekutiv mbi emigracionin, të hartuar nga një ekip i kryesuar nga dhëndri i tij Jared Kushner, ligj që sipas presidentit është “i drejtë, modern dhe ligjor”.


    “Zgjedhja e rastësishme e emigranteve është kundër vlerave amerikane dhe bllokon shumë emigrantë potencial të kualifikuar që kanë shumë për të ofruar në SHBA”-tha Trump në Kopshtin e Shtëpisë së Bardhë.

    Propozimi i Shtëpisë së Bardhë mbi emigracionin mban të pandryshuar numrin e kartave të gjelbra të lëshuara për rreth 1.1 milion emigrantë në vit, por do të ndryshojë fokusi në mënyrën e përzgjedhjes së atyre që do të fitojnë të drejtën e pajisjes me Green Card, duke u dhënë prioritet individëve me kualifikim të lartë dhe të arsimuar, krahasuar me ata që kanë në SHBA lidhje familjareapo atyre me nevoja humanitare.

    Sipas planit, 57% e vizave të emigracionit do t’u jepen njerëzve me aftësi profesionale dhe intelektuale ose me oferta pune dhe vetëm 33% për njerëzit me lidhje familjare.

    Plani i ri për emigracionin eliminon plotësisht programin që njihet si Lotaria amerikane, i cili aktualisht jepet çdo vit për 50,000 njerëz nga vende me nivel të ulët të emigracionit në Shtetet e Bashkuara.

    Trump tha gjithashtu se plani i tij “përshpejton lehtësimet për azilkërkuesit legjitim duke eliminuar pretendimet pa merita. Ata që nuk kanë pretendime legjitime do të kthehen menjëherë në shtëpi” shpjegoi presidenti.

    Propozimi i Trump, është një përpjekje për të bashkuar republikanët për një problem që i ka ndarë shpesh si dhe një “kartë” e fortë për zgjedhjet e reja presidenciale, ku emigracioni ndoshta do të jetë një çështje kyçe.

    Rishikimi i ligjit të imigracionit ka qenë një çështje grindjesh midis republikanëve dhe demokratëve për vite me radhë. Beteja u intensifikua në vitin 2016 kur Trump u shpreh për të ndërtuar një mur në kufirin me Meksikën për të parandaluar hyrjen e emigrantëve ilegal.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!