×
  • Lajme
  • Botë

    ”Vërtetohet” deklarata e Trump, vaksina del pesë ditë pas rezultatit të zgjedhjeve në SHBA

    Reporteri
    10 Nëntor 2020 | 15:31

    Një vaksinë ndaj COVID-19 që po zhvillohet nga Pfizer dhe BioNTech është vërtetuar të jetë më shumë se 90% efektive në mbrojtjen ndaj virusit.


    Një lajm shumë i mirë ky në periudhën e pandemisë që po jetojmë, me shifra të fataliteteve dhe njerëzve të prekur që sa vijnë e bëhen më alarmante.

    Redaksia digjitale në Euronews Albania, “KUBI” ka sjellë në vëmendje reagimet për këtë prurje, të republikanit Donald Trump dhe presidentit të zgjedhur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.

    Në reagimin e Trump në Twitter nënvizohet sërish deklarata e mëhershme e republikanit se vaksina kundër COVID-19 do të dilte në treg pas përfundimit të zgjedhjeve, gjë që siç duket rezultoi e vërtetë.

    “Siç kam thënë prej kohësh Pfizer dhe të tjerët do të shpallnin një vaksinë vetëm pas zgjedhjeve sepse nuk kishin guximin ta bënin më parë. Po kështu dhe US FDA duhej ta kishte njoftuar më herët, jo për qëllime politike, por për të shpëtuar jetë!

    Nëse Joe Biden do të ishte President nuk do të kishit një vaksinë as për katër vite të tjera dhe as US FDA nuk do ta kishte aprovuar ndonjëherë kaq shpejt. Burokracia do të kishte shkatërruar miliona jetë!

    US FDA dhe demokratët nuk donin që unë të kisha gati një vaksinë para zgjedhjeve, kështu që doli pesë ditë më vonë, siç e kam thënë gjithë kohën,” – thuhej në postimin e Donald Trump.

    Ndërkohë nga ana tjetër Joe Biden ka bërë thirrje për vigjilencë dhe përgjegjësi qytetare teksa presin me optimizëm dhe shpreë rezultatet pozitive të vaksinës Pfizer.

    “Unë i përgëzoj gratë dhe burrat e shkëlqyeshëm që ndihmuan në krijimin e këtij përparimi duke na dhënë një arsye të tillë për shpresë. Në të njëjtën kohë, është gjithashtu e rëndësishme të kuptohet se fundi i betejës kundër COVID-19 është akoma me muaj larg,” – është shprehur Joe Biden në deklaratën e tij.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!