Mediat në Amerikë e kanë akuzuar presidentin amerikan Joe Biden se po tenton ta “zhvendosë fajin” për krizën në Afganistan, pasi i njëjti kritikoi udhëheqësit afganë dhe ushtrinë, derisa mbronte vendimin e tij për tërheqjen e trupave amerikane, shkruan Gazeta Online “Reporteri.net”.
Wall Street Journal në editorialin e publikuar sot shkruan se Biden “refuzoi të pranonte përgjegjësinë për tërheqjen e trupave duke fajësuar të tjerët” dhe se “grupi që ai nuk fajësoi në mënyrë të dukshme ishin talebanët”.
Ndërsa gazeta amerikane Washington Post shkruan se Biden kishte dëgjuar shumë “duar të kalitura” që i jepnin alternativa për t’u tërhequr, duke shtuar se fajësimi i të tjerëve ishte “i pahijshëm” duke pasur parasysh se 2,448 pjesëtarë të shërbimit amerikan vdiqën në 20 vjet.
Në editorialin e saj New York Post sjell në vëmendje se asnjë ushtar amerikan nuk ka vdekur në Afganistan në 18 muajt e fundit, dhe se “vetëm ai është përgjegjës” për kontrollin e talebanëve që sipas kësaj gazete është një “katastrofë e plotë, për afganët dhe sigurinë botërore”.
Ndërkohë, në një opinion të publikuar në CNN, transmeton Reporteri.net, një veteran shkruan se kolapsi i Afganistanit ishte “braktisje me dashje” dhe se tërheqja e forcave amerikane “iu la fiseve të Afganistanit pak zgjidhje përveç kapitullimit”.
Megjithatë, media të tjera amerikane mbrojtën presidentin amerikan, përfshirë New York Times e cila shkroi se “fatkeqësia nuk mund të vendoset vetëm në këmbët e Presidentit Biden” dhe se vendimi i tij për të tërhequr të gjithë trupat amerikane ishte vendim i marrë me “guxim dhe mençuri”.
Ndërkohë, një artikull i publikuar në USA Today thekson se presidenti “mban një pjesë të fajit për kolapsin katastrofik”, por shton se Bidenit “iu dha një dorë e humbur nga ish-presidentët Bush, Obama dhe Trump”.
Një një opinion të publikuar në The Atlantic thuhet se “asnjë kritik i vendimit për tërheqjen e trupave qoftë nga Biden apo Trump nuk ka ofruar një plan koherent alternativ përtej pushtimit të pacaktuar amerikan”, duke shtuar se tërheqja “nuk ishte një dështim strategjik”.
Los Angeles Times shkruan se presidenti Biden bëri “zgjedhjen e ashpër dhe korrekte për t’u tërhequr dhe përfunduar një përpjekje humbëse në kërkim të një qëllimi të paarritshëm’ dhe se ai kishte të drejtë të qëndronte prapa vendimit të tij, përcjell në shqip Reporteri.net.
Janë të paktën 40,000 njerëz që kanë nevojë për evakuim nga Afganistani, përfshirë rreth 30,000 amerikanë dhe 4,000 britanikë.
Amerika shpreson të evakuojë rreth 5,000 njerëz në ditë dhe Mbretëria e Bashkuar 1,200, megjithëse të dyja vendet arritën të evakuojnë vetëm disa qindra njerëz dje, që sipas mediave amerikane, do të thotë se operacioni me shumë gjasa do të zgjasë me javë, në mos muaj. /Reporteri.net