Presidenti portugez, Marcelo Rebelo de Sousa është kthyer në heroin e momentit, pasi ka ndihmuar në shpëtimin e dy grave që ndodheshin në rrezik në një plazh të quajtur Algarve në Portugali.
Presidenti 71-vjeçar, u xhirua të shtunën duke notuar pranë kajakut të përmbysur në ujë dhe grave që po luftonin ta kthenin dhe të ngjiteshin në të.
Presidenti Rebelo de Sousa ndodhet aktualisht me pushime në Algarve, duke u përpjekur për të promovuar turizmin atje. Ekonomia e Portugalisë mbështetet në industrinë e turizmit, e cila është ndikuar shumë nga pandemia e koronavirusit. Presidenti sapo kishte folur me gazetarët në plazhin Praia do Alvor, kur vuri re gratë që kërkonin ndihmë.
Videot e bëra virale në mediat protugeze dhe së fundmi edhe në ato botërore, tregojnë momentin kur presidenti notoi drejt tyre për t’i shpëtuar. Gjithashtu, dy burra të tjerë ishin afruar për të menaxhuar situatën, njëri me not dhe tjetri me jet ski.
I parë nga të gjithë plazhistët si hero, Presidenti Rebelo de Sousa u tha gazetarëve se gratë kishin ardhur nga një plazh tjetër dhe ishin tërhequr nga rryma.
“Ekziston një rrymë shumë e madhe perëndimore. Ato u tërhoqën nga rryma, u kthyen përmbys, gëlltitën shumë ujë. Madje nuk ishin në gjendje ta kthenin kajakun, as të ngjiteshin mbi të ose të notonin. E tillë është forca të rrymës”, – u shpeh ai për mediat që ishin atje në momentin kur ndodhi ngjarja.
Presidenti i paralajmëroi gratë që të jenë më të kujdesshme në të ardhmen.