Fati i Dobrosav Gavric, i cili akuzohet për vrasjen e kriminelit Zeljko Raznatovic Arkan, dy dekada pas, është në duart e ministrit të drejtësisë të Afrikës së Jugut.
Dobrosav Gavric ishte 23 vjeç kur iu afrua komandantit të Gardës Vullnetare të Serbisë, Zeljko Raznatovic Arkan, më 15 janar 2000, në Hotelin Intercontinental të atëhershëm dhe e qëlloi atë, raportojnë mediat serbe.
Gavric, i cili u dënua me 35 vjet burg për vrasjen e Arkanit, arriti në vitin 2006 t’i shmanget bugimit. Duke përdorur emrin e rremë Sasa Kovacevic, në vitin 2007 ai hyri në Republikën e Afrikës së Jugut (JAR) përmes Italisë dhe Ekuadorit.
I dënuari Gavric, megjithatë, u arrestua në fund të vitit 2011 në Afrikën e Jugut, dhe fati i tij, 20 vjet pas vrasjes, është në duart e ministrit Ronald Lamola, i cili duhet të vendosë nëse do të nënshkruajë një vendim për ekstradimin e një ish oficeri të policisë në Serbi.
Gjykata e Magjistraturës në Cape Town vendosi javën e kaluar që Gavric të mund të ekstradohej në Serbi, dhe zëdhënësi i Prokurorisë Kombëtare Eric Ntabazalila tha se vendimi “erdhi megjithë protestën e tij se ai ishte dënuar përgjatë linjave politike dhe frikës për jetën e tij nëse dërgohej në Serbi” .
“Gjykata i ka dorëzuar të gjitha këto pretendime Ministrit të Drejtësisë dhe institucioneve përkatëse, dhe ata do të marrin vendimin përfundimtar”, ka thënë Ntabazalila. /reporteri.net