Një oficer i lartë ushtarak i Rusisë është vrarë të premten derisa nga shpërthimi i një veture në një rrugë në periferi të Moskës, tha Komiteti Hetues i Rusisë.
Ky është zyrtar i dytë i lartë ushtarak i Rusisë që vritet afër vendbanimit të vet në katër muajt e fundit.
Komiteti Hetues tha se ka hapur rast penal për vrasjen e gjeneralit Yaroslav Moskalik, i cili humbi jetën të premten derisa po i afrohej një veture që shpërtheu në rrugën “Nesterov” në mënyrë të telekomanduar.
Systema, njësia hulumtues ruse e Radios Evropa e Lirë, konfirmoi vendin e shpërthimit si rruga “Nesterov” numër 2. Sipas të dhënave personale të rrjedhura online, Moskalik banonte në atë adresë.
“Sipas të dhënave fillestare, nga shpërthimi humbi jetën gjenerali Yaroslav Moskalik, zëvendësshefi i Drejtorisë Kryesore Operative të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Federatës Ruse”, tha Komiteti Hetues.
“Sipas të dhënave që kemi, shpërthimi ndodhi si pasojë e aktivizimit të një pajisjeje shpërthyese artizanale e mbushur me copëza metalike”, shtoi ai.
Pamjet nga kamerat e sigurisë e kanë kapur momentin e shpërthimit, dhe raportet e para nga kanali Baza në Telegram sugjerojnë se pajisja shpërtheu teksa Moskalik iu afrua automjetit apo hyri në të.
Moskalik ishte figurë e profilit të lartë në komandën ushtarake të Rusisë.
Ai ka luajtur role të rëndësishëm në negociatat e formatit të Normandisë për Ukrainën në vitet 2015 dhe 2019, dhe ishte pjesë e delegacionit rus në bisedimet e vitit 2018 me presidentin e atëhershëm sirian, Bashar al-Assad.
Pjesëmarrja e tij e mundshme në luftën e tanishme në Ukrainë nuk është konfirmuar publikisht.
Ai është gjenerali i dytë i lartë rus që vritet në muajt e fundit. Në dhjetor të vitit 2024, gjenerali Igor Kirillov u vra nga një bombë në veturën e tij në Moskë.
Përgjegjësinë për vrasjen e tij e mori inteligjenca ukrainase.
Autoritetet ukrainase nuk kanë komentuar mbi vdekjen e Moskalikut./REL