×
  • Lajme
  • Botë

    Vulin në vizitë zyrtare në Moskë

    Reporteri
    10 Qershor 2024 | 18:56

    Zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin, u takua të hënën me sekretarin e Këshillit të Sigurimit të Rusisë, Sergei Shoigu, në Moskë, ku ndodhet për një vizitë zyrtare dyditore.

    Qeveria e Serbisë tha në një njoftim se Vulini “shprehu kënaqësinë që do ta vazhdojë bashkëpunimin dhe partneritetin për sigurinë e dy vendeve”.

    Vulin është i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndër të tjera, për shkak të lidhjeve të tij me Rusinë.

    Ai u takua edhe me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Rusisë, Aleksandar Grushko.

    Qeveria e Serbisë njoftoi se gjatë takimit me Grushkon, Vulini ka falënderuar Rusinë për “përkrahjen e Serbisë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara” dhe votimin kundër Rezolutës për Srebrenicën.

    Më 23 maj, anëtarët e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara miratuan rezolutën që shpall 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë.

    Miratimi i Rezolutës u kundërshtua nga liderët në Serbi dhe nga entiteti serb i Bosnjë e Hercegovinë, Republika Sërpska, me mbështetjen e Rusisë dhe Kinës.

    Në njoftimin e Qeverisë së Serbisë thuhet gjithashtu se Vulin ndodhet në një vizitë zyrtare disaditore në Rusi.

    Kjo është vizita e tij e parë zyrtare në Rusi prej ai u zgjodh në postin e zëvendëskryeministrit të Serbisë më 2 maj.

    Vulin ka udhëtuar në Rusi në disa raste prej kur Rusia e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në vitin 2022.

    Hera e fundit ishte në prill, kur ai u takua në Shën Petersburg me sekretarin e Këshillit të Sigurimit të Federatës Ruse, Nikolai Patrushev.

    Në janar të këtij viti, Vulin u nderua nga presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dhe Shërbimi Federal i Sigurisë Ruse.

    Në korrik të vitit 2023, Shtetet e Bashkuara e futën Vulinin në listën e sanksioneve nën dyshimet për përfshirje në korrupsion dhe trafikim me drogë, si dhe për lidhje me Rusinë.

    Në të kaluarën ai ka mbajtur disa poste politike, nga posti i shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe e deri tek udhëheqja e dikastereve të mbrojtjes dhe çështjeve të brendshme dhe në fund shërbeu si kryespiun.

    Serbia është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por nuk e ka harmonizuar politikën e saj të jashtme me politikën e Brukselit dhe nuk i është bashkuar sanksioneve kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!