Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksander Vulin tha sot se Serbia ka zgjedhur të jetë vend neutral dhe se kurrë nuk do të jetë anëtar i Paktit të NATO-s dhe asnjë aleance tjetër ushtarake.
Vulin këto komente i bëri në Konferencën e Tetë Ndërkombëtare të Sigurisë që po mbahet në Moskë. Ai ndër të tjera foli edhe për bombardimet e NATO-s në vitin 1999 duke shtuar se “20 vite më parë u përpoqën të vrisnin Serbinë, por vranë të drejtën ndërkombëtare”.
“Serbia, e udhëhequr nga Presidenti Aleksandar Vuçiq, është rikuperuar, e drejta ndërkombëtare jo, Serbia është ende gjallë, por e drejta ndërkombëtare ka vdekur”, tha Vulin gjatë prezantimit të tij me temën “Siguria Ballkanike midis Sfidave Globale dhe Trashëgimisë Rajonale”.
Ministri serb i Mbrojtjes Aleksandar Vulin gjatë qëndrimit në Moskë do të takohet edhe me Ministrin rus të Mbrojtjes, Sergei Shoigu./Reporteri.net