Presidenti amerikan Donald Trump ka vendosur të ndryshojë drejtimin e kabinetit të tij, duke emëruar Stephen Miller në postin e shefit të kabinetit, në vend të Susie Wiles.

Lajmin e bëri të ditur vetë Trump përmes një postimi në rrjetin social Truth Social, ku vlerësoi punën e Wiles, duke thënë se ajo ka bërë një “punë të jashtëzakonshme”. Sipas tij, Wiles do të kalojë në një tjetër rol, në kuadër të strukturës politike “Trump Political Operation”.

Stephen Miller, i cili deri tani ka shërbyer si zëvendësshef i kabinetit, njihet si një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Trumpit dhe si arkitekti i politikave të tij të ashpra për emigracionin. Ai ka qenë gjithashtu këshilltar i rëndësishëm i presidentit gjatë mandatit të tij të parë. Trump bëri të ditur se Miller do të nisë detyrën e re të hënën.

Reklamë

Ndryshimi vjen në një moment të vështirë për republikanët, pas humbjeve të rëndësishme në zgjedhjet afatmesme të vitit 2026, ku humbën kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit amerikan.

Nga ana e saj, Susie Wiles e cilësoi përvojën në ekipin e Trumpit si “nderin e jetës së saj”. Ajo u shpreh krenare për rezultatet e arritura gjatë kohës që shërbeu në këtë detyrë, duke përmendur sigurimin e kufirit, uljen e taksave dhe forcimin e ekonomisë amerikane.

Wiles është konsideruar një nga figurat më me ndikim në administratën Trump dhe një prej njerëzve më të afërt të presidentit. Madje, në fillim të këtij muaji, kur u pyet nëse ajo mund të largohej nga detyra, Trump e mohoi këtë mundësi, duke deklaruar se Susie do të qëndronte në post për një kohë të gjatë.

69-vjeçarja ka kaluar gjithashtu një periudhë të vështirë shëndetësore, pasi u diagnostikua me kancer. Në shtator, gjashtë muaj pas marrjes së diagnozës, ajo njoftoi se sëmundja kishte kaluar në remision.