×
  • Lajme
  • Botë

    Walz dhe Vance pajtohen të përballen në debat më 1 tetor

    Reporteri
    15 Gusht 2024 | 18:32

    Kandidatët për nënpresidentë në Shtetet e Bashkuara janë pajtuar që të përballen në një debat, që do të organizohet nga CBS News më 1 tetor.

    CBS njoftoi se u kishte ofruar katër debate potenciale në shtator dhe tetor, guvernatorit demokrat të Minesotës, Tim Walz, dhe senatorit republikan të Ohajos, J.D Vance.

    “Shihemi më 1 tetor, J.D”, shkroi Walz në X, para se fushata e kandidates demokrate për presidente, Kamala Harris, zyrtarisht të konfirmonte se Walz ka pranuar që të marrë pjesë në këtë debat.

    Vance tha po ashtu se ka pranuar debatin e 1 tetorit, duke sugjeruar se CNN ka ofruar mbajtjen e një debati më herët, më 18 shtator.

    Vance tha se “ky nuk do të jetë si debatet e tjera të rreme… ku nuk ka publik”, sikurse ai që u zhvillua më 27 qershor mes presidentit Joe Biden, dhe kandidatit republikan për president, Donald Trump.

    Ndërkaq, Harris dhe Trump pritet të marrin pjesë në debatin e 10 shtatorit, që do të organizohet nga ABC News.

    Harris hyri më vonë në garën për Shtëpinë e Bardhë, pasi presidenti Biden u tërhoq nga kandidimi edhe për një mandat presidencial, për shkak të shqetësimeve për moshën e tij dhe rënies së mbështetjes për të. Pas tërheqjes, ai mbështeti Harrisin për kandidaten e demokratëve për zgjedhjet e 5 nëntorit./REL

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!