×
  • Lajme
  • Botë

    Washingtoni përcakton si organizata terroriste 8 kartele të drogës në Amerikën Latine

    Reporteri
    20 Shkurt 2025 | 0:02

    Administrata e Presidentit Trump po etiketon zyrtarisht tetë organizata të krimit të organizuar në Amerikën Latine si ‘organizata të huaja terroriste’, duke shtuar trysninë amerikane mbi kartelet që veprojnë në Shtetet e Bashkuara dhe atyre që i ndihmojnë ato.

    Veprimi i bazuar në urdhrin ekzekutiv të Presidentit Donald Trump më 20 janar, ku mes të tjerash përcaktohen edhe organizatat kriminale Tren de Agua e Venezuelës dhe MS-13 në El Salvador, do të publikohet zyrtarisht të enjten në Regjistrin Federal.

    Ndër përparësitë kryesore të presidentit republikan është edhe sigurimi i kufirit mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës. Presidenti Trump është zotuar për dëbime masive të imigrantëve të paligjshëm, dërgimin e trupave ushtarake në kufi dhe arritjen e marrëveshjeve me disa vende për të pranuar më shumë emigrantë.

    Përcaktimi si organizata terroriste i rrjeteve kriminale, siç janë kartelet e drogës në Amerikën Latine dhe që kanë synime përfitimi financiar, është diçka e pazakontë, sepse ky etiketim është përdorur zakonisht për grupe si al-Kaida ose Shteti Islamik, që e përdorin dhunën për qëllime politike.

    Administrata e Presidentit Trump argumenton se lidhjet dhe operacionet ndërkombëtare të këtyre grupeve, përfshirë trafikun e drogës dhe të imigrantëve si dhe përdorimi i dhunës për të zgjeruar territoret e tyre, janë përcaktues në marrjen e vendimit.

    Kritikët thonë se kjo është një lëvizje e panevojshme dhe e ashpër që mund të dëmtojë marrëdhëniet dhe të paralizojë tregtinë me Amerikën Latine.

    Bizneset, bankat dhe blerësit mund të kenë frikë nga një ndjekje e mundshme penale nga Shtetet e Bashkuara nëse me vetëdije ose pa vetëdije kanë ndonjë transaksion që ka lidhje me botën e karteleve të drogës.

    Këto kartele kanë një përhapje të gjerë në ekonominë meksikane, jo vetëm përmes trafikut të drogës dhe të imigrantëve por duke luftuar për kontrollin e biznesit disa miliarda dollarësh të tregtisë së avokados.

    Grupet e ndihmave thonë se, në të kaluarën, përcaktimi amerikan i disa grupeve si organizata të huaja terroriste ka kërcënuar në përgjithësi importin ushqimor drejt disa shteteve. Një shembull, thonë grupet e ndihmave, është frika e kompanive të transportit se prokurorët amerikanë mund t’i akuzojnë ato për mbështetje të drejtpërdrejtë ose të tërthortë të grupeve terroriste.

    Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, reagoi muajin e kaluar ndaj urdhrit ekzekutiv të Presidentit Trump duke thënë se Meksika do të mbrojë sovranitetin dhe pavarësinë e saj ndërsa synon të koordinohet me Shtetet e Bashkuara.

    “Të gjithë duam t’i luftojmë kartelet e drogës,” tha Presidentja Sheinbaum. Shtetet e Bashkuara “në territorin e tyre, ne në territorin tonë”./VOA

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!