Organizat Botërore e Shëndetësisë parashikon që njerëzit më të prekshëm nga Covid, siç janë të moshuarit do duhet të marrin dozë përforcuese vaksine çdo vit për t’u mbrojtur nga variantet e koronavirusit. Reuters ka siguruar dokumentin në të cilin OBSH ka dhënë këtë udhëzim.
Dokumenti do të analizohet gjatë një takimi me bordin e Gavi të enjten që vjen. Gavi është aleanca e kompanive të vaksinave që bashkë-drejton programin e vaksinave të OBSH-së, pjesë e Covax. Parashikimi i nënshtrohet ndryshimeve dhe shoqërohet gjithashtu me dy skenarë të tjerë më pak të mundshëm.
Prodhuesit e vaksinave Moderna Inc dhe Pfizer Inc, me partnerin gjerman BioNTech, kanë qenë të zëshëm në pikëpamjen e tyre se bota së shpejti do të ketë nevojë për vaksina përforcuese për të mbajtur nivele të larta të imunitetit, por provat për këtë janë ende të paqarta.
Dokumenti tregon se OBSH konsideron pëforcuesit-vaksina vjetore për individët me rrezik të lartë si skenarin bazë “tregues” të tij, dhe vaksinim çdo dy vjet për popullatën e përgjithshme.
Nuk thotë se si arritën në këto konkluzione, por tregon se sipas skenarit bazë, variante të reja do të vazhdojnë të shfaqen dhe vaksinat do të azhurnohen rregullisht për të qenë të sigurt.
Agjencia e OKB refuzoi të komentojë mbi përmbajtjen e dokumentit të brendshëm ndërsa Gavi nuk iu përgjigj kërkesës për koment nga Reuters.
Dokumenti, i cili mban datën 8 qershor dhe është ende në progres për t’u finalizuar, parashikon gjithashtu nën rastin bazë që 12 miliardë doza vaksine Covid-19 do të prodhohen globalisht vitin e ardhshëm.
Kjo do të ishte pak më e lartë se parashikimi i 11 miliardë dozave për këtë vit të cituar nga Federata Ndërkombëtare e Prodhuesve dhe Shoqatave Farmaceutike (IFPMA), duke sinjalizuar që agjencia e e OKB nuk pret një rritje të konsiderueshme të prodhimit të vaksinave në vitin 2022.
Skenarët do të përdoren për të përcaktuar strategjinë globale të vaksinimit të OBSH-së dhe parashikimet mund të ndryshojnë ndërsa shfaqen të dhëna të reja për rolin e vaksinave përforcuese dhe kohëzgjatjen e mbrojtjes së vaksinave.
Deri më tani rreth 2.5 miliardë doza janë administruar në të gjithë botën, kryesisht në vendet e pasura ku mbi gjysma e popullsisë ka marrë të paktën një dozë, ndërsa në shumë vende më të varfra më pak se 1% është vaksinuar, sipas vlerësimeve të Gavi.
*Reuters