×
  • Lajme
  • Botë

    Zelensky: Mbështetja e Orbanit për Rusinë, gabim historik

    Reporteri
    10 Qershor 2025 | 16:38

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i ka përshkruar politikat dhe mesazhet kundër Ukrainës të kryeministrit populist hungarez, Viktor Orban, si “gabim historik”.

    Në një intervistë për median hungareze Valasz Online, të publikuar të martën, Zelensky e akuzoi Orbanin se po përdor propagandën kundër Ukrainën me qëllim që të përfitojë në politikën e brendshme.

    “Ai [Orbani] po e përdor Ukrainën për qëllimet e tij elektorale”, tha ai. “Ai nuk e kupton se kjo do të ketë pasoja shumë serioze dhe të rrezikshme. Duke mos na ndihmuar ne, ai po i bën një favor [presidentit rus, Vladimir] Putin. Prandaj unë them se Viktori është duke bërë një gabim serioz dhe historik”.

    Për javë të tëra, qeveria e Orbanit po zhvillon një fushatë përmes vendosjes së pankartave me mesazhe kundër ndihmës për Ukrainën dhe po kundërshton anëtarësimin e Kievit në Bashkimin Evropian. Mesazhi kryesor i fushatës është se ndihma për Ukrainën do ta tërhiqte Hungarinë në luftë dhe do të dëmtonte ekonominë e shtetit.

    Në disa pankarta është vendosur edhe portreti i Zelenskyt. “Si mund ta përdorë ai fytyrën time për zgjedhjet e tij? Unë nuk i kam dhënë leje për një gjë të tillë”, tha Zelensky.

    Pjesëtarë të Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës arrestojnë një të dyshuar për spiunim, më 9 maj.

    Presidenti ukrainas po ashtu kujtoi se në maj të këtij viti, Shërbimi ukrainas i Sigurisë (SBU) arrestoi dy ukrainas me etni hungareze, të dyshuar për spiunim për shërbimin e inteligjencës ushtarake të Hungarisë, KNBSZ. Ai tha se janë gjetur edhe prova të reja, por të cilat nuk janë bërë publike.

    Në përgjigje, Hungaria arrestoi një person për spiunazh, që tha se dyshohet se punonte për Ukrainën, i cili, sipas Budapestit, ishte i afërt me udhëheqësin opozitar hungarez, Peter Magyar.

    Hungaria – shtet anëtar i BE-së dhe NATO-s – pritet të mbajë zgjedhje parlamentare në fillim të vitit 2026.

    Orbani, që është në pushtet që nga viti 2010, është nën presion pasi partia e re konservatore e Magyarit, Tisza, e po prin, sipas sondazheve.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!