Zgjerohet harta e përhapjes së variantit Omicron, Greqia konfirmon rastin e parë

Greqia konfirmoi rastin e parë, i cili sipas ministrit të Shëndetësisë është një shtetas që ka udhëtuar nga Afrika e Jugut drejt Kretës. Mësohet se i prekuri ka simptoma të lehta.

Më herët, edhe Shtetet e Bashkuara konfirmuan rastin e parë në shtetin e Kalifornisë, e po ashtu Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Koreja e Jugut, e cila po lufton me shpërthimin më të rëndë të infektimeve, njoftuan se varianti i transmetueshëm kishte mbërritur në territoret e tyre.

Ekspertët në Afrikën e Jugut paralajmëruan se Omicron po nxit një valë shqetësuese infektimesh dhe po bëhet shpejt varianti dominues.

“Ka pasur rritje eksponenciale të infektimeve përgjatë dy javëve të fundit; nga mesatarisht 300 raste në ditë në 1000 javën e kaluar dhe 3500 tani. Të mërkurën, Afrika e Jugut regjistroi 8561 raste”, deklaroi Dr.Michelle Groome nga Insituti Kombëtar i Sëmundjeve të Transmetueshme.

Ndërsa mbeten pikëpyetje të rëndësishme mbi transmetueshmërinë e variantit Omicron, i identifikuar në të paktën 24 vende rreth botës, ekspertja e OBSH-së, Maria Van Kerkhove, tha në një konferencë se të dhënat duhet të jenë të disponueshme brenda disa ditësh.

Të dhënat e para epidemiologjike sugjerojnë se varianti ishte në gjendje t’i rezistonte deri në një farë mase mbrojtjes natyrale apo nga vaksinat, por besohet se vaksinat ekzistuese ofrojnë mbrojtje kundër sëmundjes së rëndë dhe vdekjes. Britania e madhe dhe Shtetet e Bashkaura janë mes vendeve që kanë intensifikuar fushatën për dozën përforcuese. Eksperti më i lartë i sëmundjeve infektive në vend, Anthony Fauci tha se të rriturit e vaksinuar plotësisht duhet të marrin dozën e tretë për të siguruar mbrojtjen më të mirë të mundshme.