Banka Qendrore e Kosovës, ka kërkuar nga institucionet kredidhënëse që për shkak të shtyerjes së afatit të kësteve të kredive, si pasojë e COVID-19, të mos aplikohet interses ndëshkues për kredimarrësit.
BQK-ja ka bërë të ditur përmes një komunikate për medie se nuk do të kërkojë provizione shtese nga këto institucione për kreditë e shtyra, shkruan Reporteri.net.
“BQK-ja kërkon nga institucionet kredidhënëse të zbatojnë këtë kërkesë, me qëllim të lehtësimit dhe të ruajtjes së likuiditetit të kredimarrësve gjatë kësaj periudhe të ndërprerjes së aktivitetit të shumë veprimtarive ekonomike për shkak të pandemisë”, thuhet në njoftim.
Ky institucion ka njoftuar se mbetet në fuqi vendimi që afati i shtyerjes së pagesës së kësteve të kredive të jetë 3 muaj, nga data 16 mars deri më 16 qershor 2020 për kredimarrësit, të cilët kanë hasur në vështirësi financiare si rezultat i rënies së të hyrave personale apo biznesore për shkak të COVID-19. /Reporteri.net/