×
  • Lajme
  • Lajme

    Brenda ditës vdesin dy të burgosur, Shërbimi Korrektues jep detaje

    Reporteri
    29 Tetor 2024 | 22:00

    Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar për vdekjen e dy të burgosurve brenda ditës. Njëri rast ka ndodhur në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan, e tjetri në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, shkruan Reporteri.net.

    Për rastin e parë, SHKK ka thënë se i burgusuri që ka vdekur është me inicialet M.R dhe se vuante nga një sëmundje e gjatë.

    “Ai ishte pranuar në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan më 23.10.2024, në gjendje të rënduar shëndetësore si pasojë e një sulmi ishemik në tru një vit më parë dhe po trajtohej në Njësinë Shëndetësore të Qendrës së Paraburgimit në Gjilan. Më 26.10.2024, me rekomandimin e mjekut të Njësisë Shëndetësore, ai ishte dërguar në Repartin e Neurologjisë të Spitalit Rajonal të Gjilanit, ku, pas trajtimit, ishte liruar me përmirësim të gjendjes shëndetësore. Gjatë transportit për në Stacionarin e Dubravës, gjendja e tij u përkeqësua, dhe ekipi mjekësor u detyrua ta dërgojë në Spitalin e Istogut. Fatkeqësisht, ai ndërroi jetë rreth orës 19:50; vdekja u konstatua nga mjekët e Spitalit të Istogut”, thuhet në njoftim.

    Ndërkohë, në rastin e dytë, një person me inicialet A.G, SHKK ka thënë se është gjetur i vetëvarur me jelek të burgut në dhomën e tij.

    “Menjëherë pas zbulimit të rastit, oficerët korrektues dhe stafi shëndetësor i Qendrës ndërmorën të gjitha përpjekjet e nevojshme, duke e nisur me shenja jete në Emergjencën e SHSKUK-së, por përpjekjet për ta rikthyer në jetë rezultuan të pasuksesshme”, thuhet në njoftim.

    Shërbimi Korrektues i Kosovës ka themeluar një Komision Hetues për të hetuar rrethanat e ngjarjes.

    “Organet kompetente janë duke zhvilluar procedurat ligjore të nevojshme, ndërsa autopsia do të përcaktojë shkakun e saktë të vdekjes për të dyja rastet”, thuhet në njoftim.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!