Burim Rreci është kthyer sot sërish si sekretar i përgjithshëm në Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.
“Në emër të ministrisë, për riemërimin e z. Burim Rreci në pozitën e sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Tregtisë, duhet të kthehet dhe të vazhdojë punën brenda mandatit ligjor. Bazuar në rregullore, për fushat e përgjegjësisë administrative, ministria është e pavarur dhe duhet të kthehet sekretari i saj pasi që pushojnë arsyet për listë teprizë për z.Burim Rrecaj. Kërkojmë me mirësjellje që këtë vendim ta shqyrtoni dhe votoni në këtë mbledhje të Qeverisë”, ka thënë Krasniqi para ministrave të Qeverisë, në mbledhjen e sotme, duke u votuar për kthimin e tij në këtë pozitë.
Burim Rreci në shtator të 2018 ishte suspenduar nga kjo detyrë me një vendim të ministrit të Tregtisë dhe Industrisë të asaj kohe, Bajram Hasani. Ai ishte shkarkuar nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe për ndërhyrje në tenderë.
“Për shkak të paaftësisë profesionale dhe keqadministrimit që kanë rezultuar me shkelje sistematike… Po ashtu për involvim të drejtpërdrejtë në grante e tenderë si dhe ushtrim i presionit mbi komisionin me rastin e emërimit të shërbyesve civilë”, thuhej në vendimin e ish-ministrit Hasani, shkruan Reporteri.net.
Një javë pas këtij vendimi, ish-kryeministri Haradinaj e kishte liruar Hasanin nga detyra e Ministrit me arsyetimin se një gjë të tillë e ka kërkuar Nisma për Kosovën.
Burim Rreci ishte emëruar sekretar i përgjithshëm i MTI-së nga qeveria e Kosovës përkundër që sipas raportimeve të mediave nuk i kishte plotësuar kushtet minimale për të qenë në atë pozitë, sipas vlerësimit të partnerit të Ambasadës Britanike.
Zgjedhja e tij në krye të shërbyesve civil të MTI-së kishte ngjallur reagime edhe të shoqërisë civile, shkruan Reporteri.net.
“Burim Rreci, i cili është zgjedhur nga qeveria si sekretar i përgjithshëm, ishte renditur i katërti me pikë. Ai arriti që të përfshihet në listën e tre kandidatëve të cilat MAP-i i ka dërguar në qeveri vetëm pas largimit nga procesi në mënyrë të pashpjegueshme të njërit prej kandidatëve”, thuhej në reagimin e këtyre organizatave.
Zgjedhja e Rrecit sekretar i përgjithshëm i MTI-së ishte njëra nga proceset e prokurimit me të cilin nuk ishin ndarë të kënaqur Ambasada Britanike, e cila po e ndihmonte Qeverinë dhe Kuvendin në procese të rekurimit për pozitat e larta.
Vendimi për suspendimin e Rrecit nga MTI-ja i kushtoi atëkohë, Bajram Hasanit, me shkarkim nga ish-partia e tij, Nisma Socialdemokrate.
Burim Rreci, muaj më parë, kishte pasur edhe një përplasje fizike me Arian Krasniqin, që është djalë i vëllait të Jakup Krasniqit, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës, gjatë kohës sa kjo ministri udhëhiqej nga Endrit Shala. /Reporteri.net/.