×
  • Lajme
  • Lajme / Reagimi

    Cakolli: I kundërligjshëm vendimi i Qeverisë në detyrë për rritjen e shtesave për lehonat

    Reporteri
    05 Qershor 2025 | 16:11

    Eugen Cakolli nga KDI ka ngritur shqetësime serioze lidhur me vendimin e fundit të Qeverisë në detyrë për të dyfishuar përfitimet mujore për lehonat dhe fëmijët, një vendim që kap vlerën prej 10 milionë eurosh.

    Sipas Cakollit, ky veprim bie ndesh me dispozitat ligjore dhe përbën tejkalim të mandatit të kufizuar që një qeveri në largim ka.

    “Askush s’e konteston që mbështetja e shtetit për lehonat dhe fëmijët është e drejtë dhe e duhur. Por vendimi i sotëm, për të dyfishuar përfitimet e tyre mujore – që në total kap shumën prej 10 milionë eurosh – nuk është në përputhje me ligjin.

    Ligji parashikon që një qeveri në dorëheqje të kufizohet në ushtrimin e funksioneve teknike, të paraplanifikuara dhe brenda buxhetit vjetor e Planit të Punës të miratuar më parë. Asaj nuk i jepet e drejta të ndërmarrë veprime që ndryshojnë natyrën e përfitimeve publike apo krijojnë obligime të reja fiskale për qeverinë pasuese”, ka shkruar Cakolli.

    “Askush nuk konteston nevojën dhe të drejtën për mbështetjen e shtetit ndaj lehonave dhe fëmijëve. Por vendimi i sotëm nuk është as i planifikuar dhe as i justifikuar nga ndonjë situatë emergjente. Ai përfaqëson një ndryshim të rëndësishëm në politikën sociale dhe fiskale, gjë që tejkalon funksionin teknik të një qeverie kalimtare,” thekson Cakolli.

    “Përmes këtij akti, Qeveria ka kaluar nga roli i administrimit të përkohshëm institucional në pozitë politikëbërëse – pa mandat, pa kontroll parlamentar dhe jashtë çdo logjike demokratike,” shtoi Cakolli.

    Cakolli ka kërkuar interpretim të nenit 31 të mos bëhet në mënyrë tekstuale, por të mbështetet në frymën kushtetuese të kufizimit të pushtetit në periudha pa mandat.

    Sipas këtij interpretimi, qëllimi është ruajtja e ekuilibrit institucional dhe shmangia e vendimmarrjeve të njëanshme që mund të ndikojnë afatgjatë në politikat publike dhe financiare të vendit.

    /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!