×
  • Lajme
  • Lajme / Reagimi

    Cakolli: Kur dorëhiqesh s’ka vend për të qëndruar në objekt, e lëre më të emërosh borde

    Reporteri
    16 Prill 2025 | 14:01

    Eugen Cakolli i KDI-së ka thënë se Ligji e ndalon të jesh në dy poste njëkohësisht, edhe në Qeveri e edhe në Kuvend, shkruan Reporteri.net.

    Ai thotë se nuk mund t’i shërbehet dy pushteteve në të njëjtën kohë.

    “Me “mandat të kryer” apo “në detyrë” – prapë është Qeveri. Një ministër nuk pushon së qeni ministër vetëm pse shkon për të dhënë betimin në Kuvend.
    Nëse je ende në Qeveri – në çfarëdo kapaciteti – je pjesë e pushtetit ekzekutiv. Të jesh “në detyrë” nuk do të thotë që je “ish-(krye)ministër”. Do të thotë që nuk ke më mandat të plotë – por ke ende pushtet. E pikërisht për këtë arsye, ligji ndalon që të jesh njëkohësisht edhe në Qeveri, edhe në Kuvend. Sepse nuk mund t’i shërbesh dy pushteteve në të njëjtën kohë. Jo për arsye estetike, por për rend demokratik”, ka shkruar Cakolli.

    Cakolli thekson se Ligji e thotë që mos të mbahen dy pushtete, dhe se kur dorëhiqesh nga qeveria, atëherë aty s’ka vend as për të qëndruar në objekt, e lëre më të nxjerrësh udhëzime administrative, kjo si përgjigjje ndaj mbledhjes së sotme të qeverisë, ku u morën disa vendime, si dhe u bë emërimi i Bordit të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike “Kompania Rajonale e Ujësjellësit Hidroregjioni Jugor Sh. A”, Prizren.

    “Debati që nisi pas dështimit të seancës konstituive është më shumë se interpretim i një neni. Është provë e karakterit institucional dhe sjelljes politike të partisë në pushtet.
    Sepse kur një Kryeministër apo ministër vjen për të marrë mandatin si deputet pa dhënë dorëheqje formalisht, nuk kemi zbrazëti ligjore. Kemi një zgjedhje të qëllimshme për të shtyrë kufijtë e rregullit”.

    “Disa po thonë: “Po nëse të gjithë japin dorëheqje, kush e udhëheq shtetin?” Përgjigjja është e qartë dhe e nënkuptueshme: shtetin nuk e mbajnë individët apo emrat e përveçëm – e mban sistemi. Zëvendës(krye)ministrat, sekretarët e përgjithshëm dhe administrata janë aty. Ka instrumente tranzicioni dhe ka mekanizma për të funksionuar përkohësisht. Ideja është që institucionet të zgjidhen sa më shpejt – jo që të kalkulohet e kundërta.

    “Në fund të fundit, nuk ka asnjë nen që thotë “ose qëndro në dy funksione, ose le shtetin pa qeverisje.” Ligji thotë thjesht – mos mbaj dy pushtete njëkohësisht.
    E kur dorëhiqesh nga ekzekutivi, atëherë s’ka më vend për të qëndruar në objekt, e lëre më për të nxjerrë udhëzime administrative, apo për të votuar borde”, ka shkruar Cakolli.

    /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!