Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka thënë se pa u konstituuar Kuvendi, nuk mund të shpallen zgjedhje të parakohshme.
Cakolli ka sqaruar se afati kushtetues 30-ditor është për thirrjen dhe mbajtjen e seancës konstituive, jo për përmbylljen e konstituimit.
“Mbledhja konstituive e Kuvendit është thirrur. Seancat janë mbajtur dhe po mbahen çdo 48 orë. Deputetët kanë marrë pjesë dhe kanë rrëzuar me vota, katër herë, një kandidaturë për Kryetare të Kuvendit. Këto janë faktet. Kuvendi nuk konstituohet me thirrje apo mbledhje, por vetëm me zgjedhjen e Kryetarit dhe të nënkryetarëve. Afati kushtetues 30-ditor është për thirrjen dhe mbajtjen e seancës konstituive, jo për përmbylljen e konstituimit – dhe ky afat është konsumuar që më 15 prill”, ka sqaruar Cakolli.
Sipas tij, çdo interpretim tjetër është ose keqkuptim, ose tentativë për t’i ikur dështimit politik.
“Zgjedhjet e reja nuk shkaktohen automatikisht nga dështimi për të zgjedhur Kryetarin. Kushtetuta nuk njeh një rrugë të tillë të shkurtër. Nëse mungon shumica, zgjedhjet mbeten opsion politik – por absolutisht jo pasojë kushtetuese. Deri atëherë, pa shumicë, nuk ka Kryetar, nuk ka Kuvend funksional dhe nuk ka as afat që e “rregullon” vetvetiu problemin. Mbi të gjitha, edhe rruga drejt zgjedhjeve – nëse palët dakordohen për to – kalon përmes konstituimit të Kuvendit”, ka thënë ndër të tjera Cakolli.
Deputetja e VV-së, Mimoza Kusari-Lila, gjatë ditës së sotme ka thënë se afati për konstituimin e Kuvendit përfundon nesër apo të dielën.
Për këtë, ajo i është referuar Kushtetutës së Kosovës, megjithëse një gjë të tillë Kushtetuta nuk e qartëson tërësisht.
“Është e paraparë edhe me Kushtetutën e Kosovës që 30 ditë pas certifikimit të rezultatit zgjedhor është e paraparë që të konstituohet Kuvendi. Ai 30 ditësh është ditën e diel, më 27 prill, apo nëse e shohim me ditë kalendarike mund të jetë edhe nesër… Kjo situatë nuk është se mund të shkojë tërësisht në pafundësi, mund të sjellë në një rrethanë tjetër ku diskutimi i përbashkët me subjekte po afrohet gradualisht një datë tjetër e zgjedhjeve”, ka thënë ajo./Reporteri.net/
Kusari-Lila: Afati për konstituim të Kuvendit përfundon nesër ose të dielën