×
  • Lajme
  • Lajme / Dokument

    Certifikimi i Listës Serbe, PZAP hedh poshtë ankesën e Vetëvendosjes kundër vendimit të KQZ’së

    Reporteri
    09 Janar 2025 | 16:59
    Lëvizja Vetëvendosje. Fotografi ilustruese.

    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e ka hudhur poshtë ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për ta certifikuar Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet e 9 shkurtit, shkruan Reporteri.net.

    Vendimi është marrë sot dhe në të thuhet se ankesa është e palejuar.

    “Hudhet poshtë e palejuar ankesa Anr. 16./2025, e datës 08.01.2025, e paraqitur nga Lëvizja Vetëvendosje, me seli në Prishtinë, paraqitur kundër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, KQZ, me të cilën ka kërkuar që të anulohet Vendimi i KQZ’së Nr.01/2328-2024, i datës 31.12.2024 dhe të urdhërohet KQZ, të nxjerr vendim”, thuhet në vendim.

    Kundër këtij vendimi, VV ka të drejtë ankese në Gjykatën Supreme, brenda 48 orëve nga pranimi i këtij vendimi.

    Një nga arsyet e kundërshtimit të pjesëmarrjes së Listës Serbe në zgjedhje nga Vetëvendosja qeverisëse është fakti që Lista Serbe nuk e njeh Kosovën si shtet dhe nuk është distancuar nga ish-nënkryetari i saj Millan Radoiçiq, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin terrorist në Banjskë, ku u vra një polic kosovar.

    Lista Serbe nuk ishte certfikuar në mbledhjen e KQZ’së, pas kundërshtimit të anëtarëve të VV’së. Pas ankesës, PZAP i kishte dhënë të drejtë kësaj partie.

    Komuniteti ndërkombëtar kishte shprehur shqetësimin se procesi i verifikimit të subjekteve politike është “i motivuar politikisht”, duke theksuar se “është e domosdoshme që votuesit, dhe jo trupat politike, të vendosin se kush i përfaqëson ata”.

    Para certifikimit të Listës Serbe, më 31 dhjetor nga KQZ-ja, Bashkimi Evropian kishte deklaruar se është e nevojshme të sigurohet pjesëmarrja e lirë e të gjithë kandidatëve dhe partive politike të kualifikuara.

    Ata kishin shtuar se procesi i certifikimit duhet të bazohet në standardet dhe procedurat ligjore, në përputhje me ligjet në fuqi, pa ndërhyrje politike.

    Beteja ligjore mes VV-së dhe Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhje, PZAP s’përgjigjet se a do ta shqyrtojë kërkesën e partisë së Kurtit

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!