×
  • Lajme
  • Lajme / "Pa koordinim"

    Çështja e dinarit kthen sërish qortimin e aleatëve te Qeveria e Kosovës

    Reporteri
    22 Maj 2024 | 7:49

    Me një operacion policor, autoritetet kosovare mbyllën në veri të Kosovës gjashtë objekte të Bankës Kursimore të Postës së Serbisë, duke nxitur kështu reagime të autoriteteve ndërkombëtare. Ata thanë se Kosova nuk u koordinua me aleatët për këtë veprim, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Departamenti amerikan i Shtetit shprehu zhgënjimin për mbylljen nga policia e Kosovës të gjashtë njësive të “Bankës Postare Kursimore” të Serbisë në veri të vendit, duke thënë se “ky veprim nuk ishte i koordinuar me partnerët ndërkombëtarë” dhe se ai “përshkallëzon tensionet”.

    “Ai (veprimi) minon perceptimin se Kosova po vepron me vullnet të mirë për zgjidhjen e çështjeve mes saj dhe Serbisë përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, tha një zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, për Zërin e Amerikës.

    Departamenti i Shtetit përsëriti shqetësimin e Shteteve të Bashkuara lidhur me masat e Bankës Qendrore të Kosovës për kufizimet mbi përdorimin e dinarit serb.

    “Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që t’i kthehet angazhimit konstruktiv në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja si rruga e duhur për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe t’u përgjigjet adresojë nevojave bazë të të gjithë qytetarëve të saj — përfshirë ato të pakicës serbe – e ndikuar negativisht nga ndryshimet e fundit në rregulloren për monedhën”, përfundon zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.

    Më vonë gjatë ditës edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, në një takim me gazetarët, shprehu zhgënjimin e tij me aksionin e së hënës të Policisë së Kosovës në veri të Kosovës, gjatë të cilit u mbyllën disa institucione financiare serbe.

    Hovenier tha se ky veprim nuk ishte i koordinuar me partnerët ndërkombëtarë dhe, sipas tij, i përshkallëzon tensionet.

    Ai kërkoi nga Qeveria e Kosovës angazhim konstruktiv në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian, duke e cilësuar “si kanalin e duhur për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”.

     

    SHBA-ja i bën thirrje Qeverisë të dëgjojë këshillat e aleatëve, Hovenier: Aksioni në veri s’ishte i koordinuar

    Edhe Bashkimi Evropian në një deklaratë të lëshuar të martën tha se ka parë me shqetësim operacionin policor të autoriteteve të Kosovës të së hënës në zyrat e Bankës së Kursimeve Postare serbe në veri të Kosovës.

    Bashkimi Evropian thotë se ky aksion u bë pa paralajmërim dhe koordinim paraprak vetëm pak ditë pas takimit të fundit në Bruksel, ku siç theksohet në deklaratë, u trajtuar edhe çështja e kësaj banke, transmeton gazeta online Reporteri.net.

    Për BE-në aksioni i së hënës është përshkallëzues dhe bie ndesh me frymën e normalizimit të marrëdhënieve.

    “Mbyllja dhe konfiskimi i këtyre zyrave pa paralajmërim apo koordinim paraprak dhe vetëm pak ditë pas takimit të fundit të dialogut, ku u trajtua edhe çështja e ambienteve të Bankës së Kursimeve Postare, është përshkallëzuese dhe bie ndesh me frymën e normalizimit dhe cenon mirëbesimin e Kosovës në në arritjen e normalizimit të marrëdhënieve përmes dialogut”, thuhet në një deklaratë të lëshuar nga BE.

    BE ka kritikuar institucionet kosovare për veprime të njëanshme dhe mosbashkëpunim me aleatët e saj.

    “Operacioni i së hënës dëshmon sërish se autoritetet e Kosovës kanë prioritet veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara sesa bashkëpunimin me miqtë dhe aleatët e saj”, thuhet në këtë komunikatë.

    “Përsëri, veprimet e pakoordinuara të njërës prej palëve vënë në rrezik zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit. Operacioni i Policisë së Kosovës po ashtu rrezikon negociatat e vazhdueshme për një zgjidhje të përkohshme për personat e prekur negativisht nga rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës për operacionet me para të gatshme. Në mungesë të vazhdueshme të alternativave të qëndrueshme, kjo do të ketë efekte negative në jetën e përditshme dhe kushtet e jetesës së serbëve të Kosovës dhe komuniteteve të tjera të kualifikuara për transfere financiare nga Serbia”.

    BE thotë se statusi i të gjitha strukturave dhe shërbimeve të mbështetura nga Serbia është paraparë të zgjidhet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, “në lidhje me themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe”.

    BE-ja i kërkon Kosovës dhe Serbisë që të kthehen në tryezën e negociatave dhe të pajtohen me “propozimin e fundit të kompromisit të paraqitur nga lehtësuesi i BE-së që u lejon përfituesve të kualifikuar të marrin transfere financiare nga Serbia”, përfundon deklarata.

    Për këtë deklaratë pati një reagim edhe nga Qeveria e Kosovë.

    Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës, nëpërmjet rrjetit social “X” ka deklaruar se thirrja e Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm që strukturat ilegale të trajtohen me Asociacion është paraqitje mashtruese e asaj se si është menduar Asociacioni.

    “Sugjerimi i EEAS në deklaratën e sotme – që strukturat ilegale në Kosovë duhet të trajtohen dhe të zgjidhen me Asociacion – është paraqitje mashtruese e asaj që Asociacioni ishte menduar të ishte ndonjëherë”, ka shkruar Përparim Kryeziu në gjuhën angleze.

    Qeveria: Asociacioni nuk është ombrellë për legalizimin e strukturave paralele

    Shqetësim ka shprehur edhe Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë. Në një reagim Britania e Madhe ka thënë se aksioni i Policisë së Kosovës në katër komunat veriore, mund të ndikojë në përshkallëzim të situatës.

    Aty u bëhet thirrje institucioneve të Kosovës të koordinohen për veprimet me partnerët ndërkombëtarë, duke theksuar angazhim në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian për të zgjidhur çështje të tilla.

    “Jemi të shqetësuar se veprimet e djeshme të policisë në veri të Kosovës rrezikojnë të përshkallëzojnë tensionet dhe të vështirësojnë zgjidhjen afatgjatë të çështjes së monedhës në Kosovë. Ne inkurajojmë autoritetet kosovare që të koordinojnë veprimet me partnerët ndërkombëtarë dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive me Dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të zgjidhur çështje të tilla”, u tha në reagim /Reporteri.net/

    Ambasada britanike në Kosovë: Veprimet e djeshme të policisë në veri, rrezikojnë të përshkallëzojnë tensionet

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!