×
  • Lajme
  • Lajme / 16.1%

    Çfarë përgjigje u ktheu ZRRE rreth 400 qytetarëve që kundërshtuan shtrenjtimin e rrymës

    Reporteri
    11 Prill 2025 | 16:54

    Zyra e Rregullatorit për Energji ka marrë vendim sot që rryma të shtrenjtohet për rreth 16 përqind, apo rreth një përqind më shumë se propozimi fillestar. Pas vendimit, ka publikuar raportin përfundimtar ku përfshihen edhe përgjigjet zyrtare ndaj komenteve të pranuara gjatë periudhës së konsultimit publik.

    Gjatë këtij procesi, ZRRE thotë se ka pranuar rreth 400 komente nga qytetarë, organizatat e shoqërisë civile, sindikatat, bizneset, institucionet vendore dhe deputetët dhe nga të licensuarit.

    Në përgjigje ndaj këtyre ankesave, ZRRE thotë se i kupton këto shqetësime, por se vlerësimi i ndikimeve sociale dhe mbrojtja e shtresave në nevojë përmes tarifave nuk janë në mandatin e saj, por se janë kompetencë e Qeverisë, shkruan Reporteri.net.

    Tarifat thotë se i përcakton bazuar në kosto të arsyeshme dhe jo në kriterin e gjendjes sociale të konsumatorëve.

    “Vendimmarrja për përcaktimin e të Hyrave të Lejuara Maksimale (MAR) bazohet në një analizë të detajuar të kostove të arsyeshme të operimit të operatorëve të licencuar. Sa i përket mbrojtjes së konsumatorëve të cenueshëm përmes përkrahjes financiare, neni 50 i ligjit për rregullatorin, këto kompetenca ia bartë Qeverisë”, është përgjigja e ZRRE’së.

    ZRrE thotë se qëndron e hapur për bashkëpunim ndërinstitucional për të asistuar në lidhje me hartimin e skemave mbështetëse për konsumatorë në nevojë.

    Ministria e Ekonomisë kishte kërkuar nga ZRRE që konsumatorët që konsumojnë deri në 800kWh të mos kenë rritje të tarifës e konsumi i amvisërisë mbi 800kWh të ndahet në më shumë blloqe, si dhe që tarifat të jenë progresive që të mbrohen konsumatorët që shpenzojnë më pak dhe të nxisin kursimin tek ata që kanë nivele jashtëzakonisht të larta konsumi.

    Mirëpo, as kjo kërkesë s’është marrë parasysh, meqë rritja është për të gjithë konsumatorët.

    “ZRrE e konsideron të rëndësishme se çmimet në çdo bllok të mbështeten në kosto dhe të mos krijojnë shtrembërime ose ndër-subvencione të paarsyeshme ndërmjet konsumatorëve. ZRrE pajtohet se kostoja mesatare e furnizimit për konsumin mbi prag mund të jetë më e lartë për shkak të nevojës për import. Megjithatë ZRrE e konsideron të rëndësishme që kostoja e shërbimit të reflektohet pavarësisht bllokut të konsumit, në pajtim me Kapitullin 6 të Përgjigjeve ndaj Komenteve”, është përgjigja e rregullatorit ndaj Ministrisë.

    Presidenca e Kosovës kishte dalë kundër shtrenjtimit, duke thënë se është në kundërshtim me kornizën ligjore që e obligon ZRRE’në të përkujdeset për mbrojtjen e konsumatorit. Për këtë koment, ZRrE ka thënë se nuk e ka të qartë se si mund të jetë në shkelje ZRrE të Ligjit për Rregulaltorin e Energjisë, duke cituar dy nene të këtij ligji.

    “Ligji parasheh mbrojtje për konsumatorët në nevojë në formë të subvencionimit të tyre, por këtë përgjegjësi ia cakton Qeverisë , përkatësisht Ministrisë përgjegjëse për mirëqenie sociale, që është në pajtim me praktikat më të mira ndërkombëtare”, thuhet në raport.

    Në komentet e saj, Presidenca kishte thënë se një rritje e tillë e çmimit të energjisë do të ketë edhe një ndikim zinxhiror.

    “Respektivisht, siç është cekur më lart, rritja e çmimit të energjisë ka një ndikim të drejtpërdrejtë dhe shumë të rëndësishëm në ekonominë e një vendi. Rrjedhimisht, çmimi i energjisë është i lidhur ngushtë me inflacionin dhe me koston e jetesës. Në rastin e Kosovës, rritja e tarifave të energjisë, veçanërisht rritja e çmimit të rrymës, do të ndikonte ndjeshëm në fuqinë blerëse të qytetarëve. Kjo rritje e çmimit të energjisë (një rritje kumulative prej pothuajse 126% në katër vite) do të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në çmimet e mallrave dhe shërbimeve, duke shkaktuar në një valë të re inflacioni.


    Për këtë pjesë, ZRRE thotë se llogaritja e rritjes së çmimit të energjisë është e pasaktë.

    “Presidenca nuk reflekton çmimin e realizuar mesatar për të gjitha kategoritë e konsumatorëve. Llogaritja e saktë e çmimeve mesatare është dhënë në Kapitullin 3.8.7 të Raportit Vjetor të ZRrE për vitin 2024. Aty ofrohen edhe tarifat mesatare për konsumatorët shtëpiak që në vitin 2021 ishin 5.60 c/kËhndërkaq në vitin 2024 janë 7.39 c/kWh. Ky ndryshim është 31% që nuk përkon me llogaritjet e Presidencës prej 126% për vitin 2024”, thuhet në raport./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!