×
  • Lajme
  • Lajme

    Çfarë qeverie do të kemi nëse AAK është pro taksës, PDK për opozitë e LDK e VV në ‘luftë’?

    Reporteri
    20 Mars 2020 | 20:50

    Lidhja Demokratike e Kosovës nuk po dëshiron të rrijë me në koalicion me VV-së. Mos heqja e taksës plotësisht, siç kërkonte Amerika, ka bërë që LDK të nis një mocion mosbesimi e të cilin do ta mbështesë edhe opozita tashmë. Por qëndrimet e dhëna sonte e komplikojnë shumë situatën.


    Kryeministri Albin Kurti e hoqi megjithatë para pak minutave, taksën për lëndën e parë. Para kësaj, PDK doli e mbështeti mocionin por tha se nuk hyn në qeveri të re.

    “Nuk e di se çfarë Qeverie do të mund të jetë më e dëmshme se kjo aktualja për vendin, por i siguroj qytetarët dhe votuesit e PDK-së se ne nuk do të jemi pjesë e asnjë kalkulimi që është i reduktuar te pushteti. E kam bërë të qartë, që më 6 tetor, se PDK do të qëndrojë në opozitë dhe se do të punojmë shumë për të shtyrë përpara çdo agjendë që është në interes të qytetarëve të vendit. Si opozitë, në parim, ne e mbështesim mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë, por kjo s’do të thotë se ne do të ndryshojmë kursin dhe statusin aktual politik”, ka thënë kreu i PDK-së Veseli, teksa ka shtuar se në rrethana normale, “do të kërkonim zgjedhje të parakohshme. Por, me pandeminë këtu – e dimë se kjo është e pamundur aktualisht”.

    PDK ka mbështetur heqjen e taksës qysh herët, duke mos rrezikuar raportet me Amerikën.
    Ndërkohë, i pari që ka reaguar pas heqjes së pjesshme të taksës është ai që e vendosi dhe u rrëzua shkaku i taksës ndaj Serbisë.

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kritikuar qeverinë me vendimin për heqjen e taksës.

    Me anë të një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se qeveria në largim nuk ka mundur të ikë pa e larguar taksën, duke zhvlerësuar kështu kundërvlerën finale për marrëveshjen me Serbinë.

    Ai gjithashtu ka thënë se me këtë veprim, qeveria e humbi plotësisht kredibilitetin te partnerët ndërkombëtar, e posaçërisht te SHBA-ja.

    “Të nderuar qytetarë, Qeveria në largim nuk mundi të ikë pa e hequr taksën! Në pikën 1 hiqet taksa për lëndën e parë kurse në pikën 3 të vendimit obligon veten për heqje të plotë të taksës me 1 prill. Me këtë e zhvlerësoi kundërvlerën për marrëveshjen finale dhe e humbi plotësisht kreditin te partnerët ndërkombëtarë, e posaçërisht te SHBA-ja. Ashtu si e kishte fillimin e turpshëm, Qeveria në ikje gjithashtu po largohet me turp”, ka shkruar Haradinaj.
    Por çka do të thotë ky zhvillim i sontshëm për fatin e Qeverisë. Nëse PDK nuk dëshiron të jetë në Qeveri, e LDK nuk e dëshiron PDK-në e as VV-në, a mund ta ketë në një qeveri të re, partner të mundshëm AAK-në që po e kundërshton heqjen e taksës. LDK është kategorike për heqjen e saj ashtu siç ka kërkuar Amerika, shkruan Reporteri.

    Kjo dileme shtohet aq më tepër kur në Kosovë nuk ka gjasa të planifikohen zgjedhje në një afat të shkurtë, për shkak të situatës me pandeminë COVID 19.

    LDK e ka dorëzuar tashmë mocionin me 46 nënshkrime. Deri kur të mbahet seance, në ditët në vazhdim, do të mbetet të shihet nëse partitë në opozitë do të jenë rezistente apo do të rikthehen në pushtet, pasi e humben atë para pak muajve.

    Derisa këto zhvillime ndodhin, kryeministri Kurti edhe pse me ditë të numëruara, ka emëruar këshilltarë në kabinetin e tij./Reporteri

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!