×
  • Lajme
  • Lajme / Video

    Çifti nga Sllovenia që po shëtit botën në këmbë, arrin në Shkodër: Ushqimi i mrekullueshëm, malet e bukura

    Reporteri
    25 Maj 2025 | 22:10

    Me çanta shpine dhe veshje sportive, shumë prej nesh e kanë parë çiftin Ida dhe Marjan nga Sllovenia, të udhëtojnë në këmbë në zonat më të bukura të Shkodrës.

    Ne i takojmë në urën e Mesit, aty ku ishte destinacioni i tyre i radhës ndërsa na flasin për rrugëtimin e tyre të parë në Shqipëri dhe impresionet e deritanishme.

    “Është hera jonë e parë këtu. kemi vizituar Shkodrën, më vonë do shkojmë në Theth. Çdo rrugëtim e bëjmë sipas hartës, pasi ne nuk i njohim këto zona. Çdo zonë e kemi vizituar në këmbë, na ka marrë rreth 1 muaj kohë. E kemi nisur rrugëtimin nga Kukësi, më pas në Valbonë”, tha Ida Oderlap Kranjc.

    Ajo na tregon se aventurën e kanë vijuar edhe në Malin e Zi.

    “Na pëlqen shumë kjo aventurë. Vitin e kaluar kemi vizituar Malin e Zi. Kemi përshkuar Zhabjakun, Gucinë dhe Plavën në këmbë. Destinacioni i radhës është Thethi. Tani jemi në Shqipëri, jemi ende në fillim të rrugëtimit ndaj nuk e dijmë si do shkojë”.

    Pavarësisht moshës, çifti slloven nuk e ka ndalur pasionin për të udhëtuar të gjithë botën.

    “Kemi vizituar shumë vende të botës kur kemi qenë të rinj, tani që jemi pak më të thyer në moshë e kemi marrë më me qetësi dhe po na shijon ky stil jetese. Duhet ta pranojmë që për ne është e vështirë të udhëtojmë me këto bagazhe, por ja vlen”.

    Më pak komunikuam me Marjanin, udhëtarin e jetës për Idën, i cili me anglishten e tij modeste vlerësoi eksperiencën e tij në zonën e Shkodrës.

    “Super eksperience. Me pëlqejnë malet këtu. Ushqimi i mrekullueshem, por malet janë shume te bukura”.

    Ida dhe Marjan janë disa nga turistët e shumtë që vizitojnë Shkodrën në këtë periudhë të vitit. Mes aventurave të shumta, veçojnë udhëtimin në Shqipëri si më të veçantë./Euronews Albania

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!