Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka numëruar një mal kritikash ndaj kryeministrit Albin Kurti, në raport me dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit.
Sipas Çitakut, Kurti ka hequr dorë nga sigurimi i njohjes nga Serbia përmes dialogut, duke shtuar se njohja nuk është askund në marrëveshje, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
“Kryeministri ka hequr dorë nga njohja me ketë marrëveshje, në preambulë thuhet që të dyja palët do të punojnë për paqe pavarësisht që kanë qëndrime të kundërta për çështje të rëndësishme, siç është çështja e statusit. Kështu që njohjen për momentin nuk e kemi askund, as në qendër as në periferi”, deklaroi ajo për RTV Dukagjinin.
Nënkryetarja e PDK-së tha se dialogu ka degraduar jashtë mase, dhe se është konsumuar tashmë.
“Mirëpo ndoshta ka ndonjë aranzhman tjetër, nuk mundem me fol për një dokument që nuk e kam parë… Degradim i plotë i procesit… nga një marrëveshje gjithëpërfshirëse me njohjen reciproke në qendër dhe kjo ka qenë konsensual në klasën politike po edhe në shoqëri në përgjithësi, jemi lodhë nga ky proces, po na konsumon shumë, në vend që të flasim për problemet e përditshme të qytetarëve të Kosovës… ne që dy vite flasim për rinegocim e marrëveshjeve tashmë të dakorduar që gati një dekadë, në ndërkohë ka qenë një gatishmëri e shprehur nga aleatët tanë kryesorë që të ulemi dhe ta përmbyllim këtë proces njëherë e mirë”, ka thënë Çitaku.
E gjithë, sipas Çitakut, ka ndodhur për shkak të sjelljes së papërgjegjshme të Kurtit.
“… me sjelljen e papërgjegjshme të kryeministrit, e kemi sjellë një situatë, që ne vend të një marrëveshje gjithëpërfshirëse po e nënshkruamë një armëpushim një statut quo të re dhe dialogun do ta kemi barrë ende”, ka shtuar Çitaku. /Reporteri.net/.